Rrëfimi lidhur me përjetimet personale dhe familjare të dëbimit me dhunë, nga banesa dhe Prishtina, drejtë Bllacës në Maqedoni. Trenat e stërmbushur dhe pritja e pasigurt.
Pritja dhe pasiguria për jetën e djalit dhe timen, motrës me familje, ku isha i strehuar, ishin përditshmëri e frikshme, kur një ditë e tërë dukej sa një vit. Më në fund, erdhi dita e dëbimit tonë me dhunë, nga forcat militare dhe paramilitare serbe, në mëngjesin e ditës 2 Prill, i erdhi radha zbrazjes – Pastrimit Etnik, të lagjes Tophane. Forcat serbe kanë hyrë përmes hyrjes kryesore, duke e thyer, dhe nga oborri i fqinjëve, nga muri gjysëm i rrënuar, ku na kanë urdhëruar egërsisht, të dalim urgjentisht dhe ti bashkohemi rreshtit, që kishin krijuar nga banorët e lagjes. Pa vonesë, na kanë drejtuar drejtë Stacionit Hekurudhor të Prishtinës. Përgjatë rrugës, që na dukej tepër e gjatë, në pika të caktuara, kishte forca të armatosura deri në dhëmb. Në Urën, ku tani është rrethi që qon për në Dragodan. Ishin vendosur forca në të dy anët e rrugës, ku neve kalonim dhe na skanonin si rob lufte. Ndonëse, situata ishte e trishtë, friken më të madhe e kisha për të rinjtë që kishim vënë përpara nesh, djalin tim dhe fëmijët e motrës sime, sikurse edhe për të rinjtë të tjerë. Diku pesë veta para djalit tim dhe të motrës, ndaluan dhe i larguan nga rreshti dy të rinjë, dhe për fat të keq, më nuk kemi mësuar fatin e tyre të lig!
Në stacion, ku ishte ndaluar kompozitura e trenit që na prite, ishte përplot me njerëz, aq më shumë kishte duke pritur jashtë trenit, në pamundësi që të futeshin brenda. Ndonëse, itinerari na ishte i panjohur, ngjitjen në tren e konsideronim zgjidhje më të favorshme, sesa të na zinte terri në stacion. Me përpjekje mbinjerëzore, dhe me ndihmën e djalit tim Vegimit, vëllait të gruas sime, Ylberit, Nipit tim Valonit, kemi arritur që 8 veta të hynim nga dritaret e trenit. Në kupenë u vendosem, ndonëse e pabesueshme në rrethana normale, 26 veta, gjersa në korridor u vendosen të rinjtë, në fund hyri Vegimi, që tani as duart së mbanin dhe mezi ia duel të futët në korridor.
Pas 2 orëve dhe pritjes në Fushë Kosovë rreth 3 orëve, kaluam pranë fushave të boshatisura, dhe diku, jo fort larg nga stacioni i Fushë Kosovës, kemi parë një kufomë njeriut duke u djegur, mu pranë hekurudhës. Diku afër Ferizajt, kemi parë llahtar, një njeriut i kishin venë kryet në cung dhe pritej ti prenin kokën, gjëra të tmerrshme që kurrë nuk mund ti harrojmë!!! Në stacionin e Ferizajit, kemi pritur diku 2-3 orë të tjera, dhe në peronin e Stacionit, një paramilitar, ju kishte drejtuar Snajperin, të rinjve që ishin në korridor të trenit, të cilët ishin aq ngushtë, saqë nuk kishin patur mundësi as kokën ta fshehin! Për fat, nuk e kishte shkrepur.
Në Stacionin e Elez Hanit, kemi arritur në pasditen e vonshme, buzë muzgut, ku na kanë zbritur nga treni dhe ku kishte forca të mëdha militare dhe paramilitare, gjithsesi sfidë e re shqetësuese. Për fat, nuk ka patur ndonjë ndalim, por vetëm urdhërim i rreptë, që të lëvizim sa më shpejtë nëpër hekurudhë, në anën e territorit të Bllacës në Maqedoni.
Në anën Maqedonase, na kanë përcjellë forcat maqedonase, deri në një fushë afër pikës kufitare, më mirë më thënë një lendinë pa asnjë gjë të përgatitur për kamp qëndrimi. Familja jonë, ndaluam afër disa shkurreve, me qëllim të strehimit dhe mbledhjes së rrembave, për të ndezur një zjarr, ngase bënte ftohtë dhe rigonte shi i qetë por që na kishte depërtuar deri në lëkurë. Mëqë na kishin përzënë në shpejtësi, ishim të papërgatitur dhe pa fije ushqimi, tërë ditën të pa ngrënë dhe pa ujë. Fati që etjen e shuam me ujë nga Lepenci, normalisht së duhej ta kalonim natën nën qiell të ngrysur, në shi, të pa ngrohur e të pa ngrënë.
Normalisht, në kushte mizërie, e ndienim vetën paksa të “shpëtuar”, së pakut nga forcat serbe, pa ditur së çka me tutje, në ditët dhe netët në vijim!
Përmes vajzës sime, që punonte në Organizatën e OESB-es, dhe një ditë para fillimit të Bombardimeve, ishin vendosur në Shkup, kërkova të informonte Organizatën Gjermane CAP Anamur dhe zotin Neudeck, i cili ishte në veprim humanitar në kufirin maqedonas, në shërbim për të dëbuarit nga Kosova. Kah ora 11:30, meqë ishin kontaktuar nga vajza ime Valentina, Zoti Neudeck me dy bashkëpunëtorët, Nedimin dhe Burimin, kishin ardhur të me takonin mua dhe familjen, normalisht të interesoheshin edhe me gjendjen e krijuar në Kampin e Bllacës. Pasi na kishin sjellë disa gjëra ushqimore, mua me këshilluan që tu bashkohem, kurse familja ime, me sugjerimin e tyre dhe të Organizatorëve Shqiptar Humanitar nga Shkupi, ishin drejtuar për në Gostivar, në një familje tepër bujare Shqiptare. Normalisht, unë i përcolla në autobusin deri në Gostivar, kurse Nedimi dhe Burimi na përcillnin me kombin e CAP Anamurit. Pas vendosjes së familjes në duar të sigurta në Gostivar, unë ju bashkova Ekipit të CAP Anamurit, duke u kthyer në Shkup, ku u vendosa në një hotel të vogël në qendër të qytetit, dhe meqë isha tepër i lodhur, me sugjeruan të flija deri në mëngjesin e ditës së nesërme.
Pesë ditët me radhë, kam shërbyer në kuadër të Ekipit të Organizatës Gjermane, me të cilët kisha bashkëpunuar mësë 7 muaj në Kosovë, gjatë Luftës, si Koordinator i Programit të tyre, i deleguar nga Organizata Bamirëse Nëna Terezë, ku punoja që nga gushti 1998.
Në ditën e gjashtë, pasi kishim sjellë ndihma, çadra për kamping dhe të mbathura për të dëbuarit (fëmijë dhe gra), gjatë kthimit për ndihma të reja, policia e Kampit, na urdhëroi që të mos ktheheshim më në Kamp. Një kryepolic, mbase përgjegjës, trupmadh dhe i vrazhdë, zuri përfyti zotin Neudeck , dhe mëqë ishte hall lig, e ngriti përpjetë, duke e kërcënuar at dhe neve, që nëse kthehemi përsëri, do të na largojnë nga Maqedonia! Pasi u kthyem në Shkup, në një kafeteri të Hotelit ku qëndroja, u morëm vesh, që unë të drejtohesha në Strugë, dhe të përpiqeshim, në kontakt me Shoqatën Nëna Terezë të Strugës, të vazhdojmë Programin e Përkrahjes në të gjitha komunat ku kishte të dëbuar nga Kosova.
EPILOGU: Siç u akorduam, unë udhëtova në Strugë, me Palokë Berishën, Koordinator i Nënës Terezë të Kosovës, pasi që përmes Kryqit të Kuq të Tetovës, kishim organizuar tërheqjen e tij dhe te familjes, si dhe rreth 200 vetave tjerë, nga kufiri në Sharr, pas tri ditë qëndrimi të tyre atje.
Në Strugë, gjetëm gatishmërinë dhe riorganizuam, se bashku Shoqatën “Nwna Tereze”, konform kërkesave shumë të mëdha, me përkrahjen e vëllezërve tonë Irfan Vlashin, tani i ndjerë, Shpetim dhe Jashar Pollozhanin, si dhe shumë të tjerë, ku veprova dhe qëndrova deri pas hyrjës së Forcave të NATO-s në Kosovë. Në kontakt me Zyrën tonë në Shkup, me datën 17 Qershor 1999, së bashku me 2 Kamion me ndihma, kam hyrë në Kosovën e Çliruar, duke i lënë disa ndihma në Kaçanik dhe të tjerat në Prishtinë.
Rrëfimi është përgatitur në bazë të fakteve tërësisht reale, të përjetuara personalisht.
Zekë Çeku

