Personazhi i njohur në rrjetet sociale, Kozak Braçi, është ndëshkuar nga Policia e Tiranës me një gjobë prej 100 mijë lekësh për ndotje të ambientit.
Veprimi i tij u bë objekt hetimi pasi në rrjetet sociale qarkulloi një video ku ai shihej duke hedhur mbeturina nga dritarja e një automjeti në lëvizje. Menjëherë pas publikimit të pamjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 nisën verifikimet për identifikimin dhe ndëshkimin e personit që shfaqej në video.
Pas hetimeve, u konstatua se videoja ishte regjistruar kohë më parë dhe personi që kreu shkeljen ishte identifikuar si K.B., 32 vjeç, i cili më pas u shoqërua në ambientet e Policisë për procedurat e mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve, ndaj tij u shqiptua masa administrative me gjobë prej 100 mijë lekësh, në bazë të nenit 351 të VKM-së nr. 153, datë 07.04.2000, si dhe nenit 15 të Kodit Rrugor.
Ndërkohë, materialet lidhur me këtë rast janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për vlerësim të mëtejshëm juridik.