Telenews

“Më i lirë ari se nafta”, çmimi kalon mbi 100 dollarë për fuçi

Dështimi i bisedimeve për paqe mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka ndikuar menjëherë në tregjet globale të energjisë, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës.

Pas përfundimit të negociatave gjatë fundjavës pa një marrëveshje dhe paralajmërimit të presidentit Donald Trump për bllokimin e porteve iraniane, çmimi i naftës ka kapërcyer sërish nivelin prej 100 dollarësh për fuçi.

Sipas mediave të huaja, nafta Brent, që shërben si referencë globale, ka shënuar rritje prej 7.3%, duke arritur në 102.30 dollarë për fuçi. Kjo luhatje në tregje lidhet drejtpërdrejt me shqetësimet se dështimi i negociatave mund të thellojë krizën globale të energjisë.

Vetëm disa ditë më parë, çmimet kishin rënë ndjeshëm nën pragun e 100 dollarëve, pasi Uashingtoni dhe Teherani kishin arritur një armëpushim të përkohshëm dyjavor, i cili përfshinte edhe hapjen e një prej rrugëve më të rëndësishme tregtare detare, Ngushticës së Hormuzit.

Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale të energjisë,  është shndërruar në një pikë kyçe të tensioneve, pasi Irani paralajmëroi se mund të sulmojë anijet që e përdorin atë, në përgjigje të veprimeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit.

Qarkullimi në këtë zonë ka qenë kryesisht i kufizuar që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, megjithatë disa shtete, si India dhe Malajzia, kanë arritur të negociojnë kalim të sigurt për anijet e tyre.

Ndërprerjet në këtë korridor strategjik kanë mjaftuar për të shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Të ngajshme

Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Yllka Gashi

“Boll është boll”, Haradinaj: Regjimi Kurti nuk ju la rrugë tjetër kryetarëve të komunave, përveç të dalin në rrugë

Yllka Gashi

Hamza pret ambasadorin Rudolph: Askush s’mund ta vendosë vullnetin politik mbi Kushtetutën

Yllka Gashi