Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar lidhur me pretendimin se deputeti i pushtetit, Fatos Geci, është ankuar në polici ndaj tij, duke e kritikuar mënyrën se si, sipas tij, deputeti ka vepruar pas zhvillimeve të fundit.
Mehmetaj ka deklaruar se, po të kishte synuar Geci zgjidhjen e çështjes përmes rrugëve institucionale, ai do t’i kishte ndaluar edhe familjarët e tij që të shkonin në zyrën e gazetarit.
Sipas Mehmetajt, ankesa në polici është bërë vetëm pasi ngjarja ka marrë përmasa të mëdha, gjë që ai e ka cilësuar si dëshmi se deputeti nuk i respekton institucionet shtetërore, pavarësisht se partia e tij është në pushtet.
Gazetari ka theksuar se askush nuk mund të dërgohet në polici për opinionet e shprehura, duke iu referuar standardeve të shteteve demokratike.
“Përndryshe, nuk mund ta dërgosh askë në polici për opinione. Në shtete demokratike të paktën jo. Njëjtë siç nuk mund ta dërgojë askush Fatos Gecin në polici për atë që ka thënë ai”, ka shkruar Mehmetaj.
Ai ka shtuar se, nëse deputeti konsideron se në postimin e tij ka elemente të shpifjes apo fyerjes, mund t’i drejtohet gjykatës përmes një padie, ku të dy palët do të mund të ballafaqoheshin për pretendimet e tyre.
“Koha kur njerëzit dërgohen në burg për opinione ka marrë fund dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ajo kohë të rikthehet prapë”, ka përfunduar Mehmetaj reagimin e tij.

