Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Kurti për degardim të procesit të dialogut.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, kreu i PDK-së tha se Kurti mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër.
Krasniqi e cilësoi Kurtin si politikan të papërgjegjshëm që ik nga ballafaqimi me deputetët dhe tha se PDK e mbështet mocionin për debat me kusht që kryeministri të jetë i pranishëm në Kuvend.
“Sot është dita e katërt prej që kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e pranon marrëveshjen bazuar në propozimin evropian. Është poashtu, dita e katërt që gjithandej në Kosovë, në shtëpitë tona, në familje, në studio televizive, gjithkund diskutohet për këtë marrëveshje, por poashtu diskutohet edhe për pasojat eventuale që sjellë kjo marrëveshje në mungesë të një qartësimi për secilën pikë prej saj që tashmë është bërë publike dhe zyrtare. Një politikan i përgjegjshëm do të kishte ardhur vetë pa e ftuar dhe pa bërë mocion me kërkesë të tij për t’iu drejtuar Kuvendit, përfaqësuesve të qytetarëve, por edhe gjithë popullit të Kosovës për ta njoftuar me dokumentin dhe çdo pikë që përfshihet aty. Por, Kryeministri i Kosovës nuk është këtu as sot. Unë sinqerisht nuk e kuptoj se çfarë pune më të rëndësishme ka sot Kryeministri sesa me ardhë në Kuvend për marrëveshjen të cilën ka deklaruar se po e nënshkruan me Serbinë”, tha Krasniqi.

