Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, sot është intervistuar E.K i dyshuar për vrasjen e 18 vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzhullahu.
I njëjti është mbrojtur në heshtje. Kështu ka bërë të ditur avokati i tij Skender Musa.
Avokati ka treguar gjithashtu se klienti i tij vazhdon të jetë i rënduar emocionalisht pas rastit që ka ndodhur dhe se i njëjti është duke u marrë medikamente që i janë përshkruar nga mjekët.
“Nuk i është keqësuar gjendja gjatë intervistimit në Prokurori, gjendjen e ka pas të keqësuar në aspektin emocional e psikik prej momentit që e ka kuptuar se ka ndërruar jetë i ndjeri. Është duke marrë medikamentet që ia kanë përshkruar mjekët këtu veç ka shpreh keqardhje shumë, pak është emocionuar”, ka thënë Musa për Telegrafin.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se i dyshuari tjetër për këtë rast do të intervistohet rreth orës 13:30.
18 vjeçari nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu kishte ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të rënda që kishte pësuar nga goditja me veturë dhe pastaj me shufra metalike nga dy të mitur më 14 janar të këtij viti.
Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, më 15 janar 2024 kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të miturve të dyshuar se i shkaktuan lëndime të rënda trupore Lulzim Fejzullahut i cili më pas ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj dy të miturve, është bërë më 15 janar 2024, kur tani i ndjeri ishte duke u trajtuar në QKUK, e i cili më 20 janar ndërroi jetë, duke bërë që pas kësaj rrethane, vepra penale të ricilësohet nga “Vrasje në tentativë” në “Vrasje”.