Kancelari gjerman Friedrich Merz ka uruar Edi Ramën për rizgjedhjen në krye të qeverisë shqiptare pas zgjedhjeve të 11 majit. Në një mesazh në platformën “X”, Merz e uron Ramën edhe në shqip.
“Urime, @ediramaal, për rizgjedhjen tuaj në Shqipëri. Shumë urime! Pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm dhe takimin tonë të parë në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë të premten”, shkruan ai.
Rama iu përgjigj në gjermanisht, duke vlerësuar urimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve: “Shumë faleminderit nga zemra, i dashur kancelar, dhe mezi pres t’ju mirëpres në Tiranë nesër. Kam një kujtim shumë pozitiv nga takimi ynë i parë dhe do të jetë një privilegj të punojmë së bashku – për të forcuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, për të avancuar bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe për të afruar më shumë shtëpinë tonë të përbashkët eVropiane.”
Të dy priten të takohen në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që zhvillohet më 16 maj në Tiranë.