Telenews

Mes pasigurisë për raportet BE-SHBA, Kallas kërkon qëndrim të fortë karshi Rusisë dhe Kinës

Me prioritetet e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara që me gjasë do të ndryshojnë nën administratën e re të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, shefja e re për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian kërkoi që Evropa të jetë kyç në mbrojtjen e Ukrainës dhe në kundërshtimin e Rusisë dhe Kinës.

Gjatë seancës dëgjimore për emërim para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian më 12 nëntor, Kaja Kallas, tha se “fitorja e Ukrainës është prioritet për të gjithë ne”, teksa u zotua se blloku evropian do të vazhdojë të mbështesë Kievin për aq kohë sa të ketë nevojë.

Gjatë seancës që zgjati tri orë, ajo po ashtu theksoi se Kina “duhet të ndiejë kosto më të lartë” për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë dhe tha se shpreson që Brukseli do të mund të përdorë asetet e ngrira të Bankës Qendrore ruse në BE, në vlerë prej pothuajse 300 miliardë eurosh, për ta ndihmuar Ukrainën.

Kjo seancë u mbajt në mes të frikës në Evropë se administrata e re e Trumpit do të kërkojë një zgjidhje të shpejtë për luftën në Ukrainë me kushte më të favorshme për Rusinë dhe mes frikës se Uashingtoni do t’i kushtojë më pak vëmendje institucioneve multilaterale sikurse është BE-ja apo edhe NATO-ja.

“Boshti i autokracive”

Në këtë kuptim, paraqitja e saj para eurodeputetëve ishte e rëndësishme për dërgimin e mesazhit tek amerikanët se aleanca transatlantike është më e rëndësishme se kurrë më parë. Ajo tha se SHBA-ja “është aleatja jonë më e madhe dhe do të vazhdojë të jetë”, duke shtuar se nëse Uashingtoni është i shqetësuar për ngjarjet në Detin Jugor të Kinës, “atëherë duhet të jetë i brengosur edhe se si ne duhet të përgjigjemi kundër luftës së Rusisë ndaj Ukrainës”.

Më pas ajo përmendi një mësim të nxjerrë nga e kaluara, kur SHBA-ja u tërhoq nga politikat botërore pas Luftës së Parë Botërore. “Nëse e shikoni historinë, izolacionizmi asnjëherë nuk ka funksionuar mirë për Amerikën”, tha ajo.

Të ngajshme

A do ta zvogëlojë Presidenti Trump mbështetjen për KFOR-in? Përgjigjet ambasadori Reeker

KushtrimGuraj

Besa pas vrasjes së Martinit: Largojini fëmijët nënmoshë nga Tik-Tok-u, Snapchat-i

Erzana Fazliu

Kryetari i Komunës së Butelit paralajmëron arrestimin e Ali Ahmetit

Donat Hashani