Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën pas një takimi në Shkup me liderët e shteteve anëtare të aleancës ushtarake nga Ballkani, se NATO-ja është e përkushtuar ta ruajë paqen dhe stabilitetin në këtë rajon.
Pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, atë të Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Kroacisë, Zoran Millovanoviq, dhe kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, shefi i NATO-së bëri thirrje që të hiqet dorë nga “kërkesat për ndarje në Bosnjë Hercegovinë”, si edhe për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Stoltenberg tha se NATO-ja nuk sheh kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak në rajon, por është e vetëdijshme për një rritje të tensioneve në Kosovë, edhe për kërcënimet për ndarje në Bosnjë e Hercegovinë.
“Ky rajon është shumë i rëndësishëm për NATO-n, dhe ka arsyeje për brengosje. Shohim kërcënime për ndarje në Bosnjë e Hercegovinë, gjendje të brishtë të sigurisë në Kosovë dhe ngecje të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës. Shtete autoritare si Rusia po rrezikojnë integritetin demokratik me kërcënime kibernetike”, tha Stoltenberg në Shkup.
Takimi i Stoltenbergut me liderët e Ballkanit në Shkup vjen pas turit të tij në vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën, ku qëndroi të hënën dhe u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ai tha se gjatë takimeve në rajonin e Ballkanit e ka theksuar rëndësinë e zgjedhjes së dialogut dhe demokracisë para konfliktit dhe luftës.
“Kërkesat për ndarje e kërcënojnë paqen në Bosnjë, ndërsa dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është thelbësor në rrugën e tyre drejt paqes dhe prosperitetit. Propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë mund të jetë hap me rëndësi përpara. Është koha që të kapërcehen konfliktet rajonale”, nënvizoi shefi i aleancës ushtarake veri-atlantike.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e liderëve të rajonit ka kërkuar rritjen e pranisë ushtarake të NATO-së në Kosovë me qëllim të ruajtës së paqes dhe të sigurisë.
NATO-ja e ka rritur tashmë praninë ushtarake në Kosovë, duke i dërguar 1.000 trupa shtesë në misionin e saj paqeruajtës KFOR – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të vendit.
“Theksova edhe sot në këtë takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili në shërbim të aktiviteteve ilegale, të trafikut të armëve, të drogës, të aktiviteteve të cilat më pastaj ngatërrohen edhe me aktivitetin politik me sfonde ultranacionaliste që shkakton devijime të rënda siç ishte devijimi në Banjskë”, ka deklaruar Rama.
Rama propozoi që formati i ardhshëm i këtij takimi të NATO-s të zhvillohet me praninë edhe të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimi që nuk janë anëtare të aleancës.
“Kjo është shumë e rëndësishme, sikur që nuk duhet harruar për asnjë moment se paqja që kemi në këtë rajon është jashtëzakonshme e çmuar, edhe pse ka brishtësinë e vet”, tha Rama.
Shefi i NATO-s ka thënë se do të shqyrtohet propozimi i Ramës, i cili është mbështetur edhe nga pjesëmarrësit e tjerë në takim.
“Me vjen mirë që ai e propozoi, sepse mua mbase nuk do të më kujtohej. Ndoshta është tepër ambicioz, por edhe mund të mos jetë. Nga kjo mund të ketë kemi vetëm përfitime”, tha presidenti i Kroacisë Millovanoviq./Telenews/