Telenews

Mësimdhënësit e Vitisë nesër protestojnë për paga

Mësimdhënësit e Komunës së Vitisë do të protestojnë nesër para Qeverisë së Kosovës, për shkak të mosprocedimit të pagave për muajin shtator, ndërkohë që Ministria e Financave ka fajësuar Komunën e Vitisë se nuk ka siguruar me kohë buxhetin e nevojshëm, raporton “KosovaPress”.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka thënë se protesta do të nisë në orën 11:00 dhe përgjegjës për rrjedhën e saj është kryetari i Këshillit, Kemajl Bislimi.

“Ju informojmë se për shkak të mos procesimit të pagave për punëtorët e arsimit në Viti, kryetarët dhe kryesitë e shoqatave sindikale nga shkollat e kësaj komune protestojnë para Qeverisë së Kosovës. Protesta mbahet para ndërtesës së Qeverisë, nesër, e premte, 04.10.2024 me fillim në orën11:00. Përgjegjës për rrjedhën e protestës është kryetari i Këshillit të protestës, Kemajl Bislimi”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Ditë më parë, Ministria e Financave ka fajësuar Komunën e Vitisë se nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm, duke thënë se pagat janë ekzekutuar vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës.

Por, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, gjatë një takimi me drejtorët e shkollave të kësaj komune adresoi kritika ndaj Ministrisë së Financave, duke kërkuar që të merren masa urgjente për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për të siguruar që pagat të shpërndahen sa më shpejt.

Ai ka theksuar se situata është e papranueshme dhe se ka ndikuar negativisht në mirëqenien e mësimdhënësve dhe funksionimin normal të procesit arsimor.

Sipas Ministrisë së Financave, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani.

Ministria që udhëhiqet nga Hekuran Murati ka shtuar se është e gatshme kurdo që Vitia bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm “të bëjë një riekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe”.

Të ngajshme

”Zëri i Dërmakut” shkruan për bashkëvendasin Dr.sc. Burim Dërmaku

Donat Hashani

KFOR: Pas sulmit në kanalin Ibër-Lepenc kemi rritur numrin e ushtarakëve në 4300

KushtrimGuraj

Florin Krasniqi e quan “palaço” dhe “pa njerëzillak” Kurtin

Donat Hashani