Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka dhënë një sqarim në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave, pas shqetësimeve të ngritura nga punonjësit e sektorit publik.
Sipas MFPT-së, përgatitja e listave të pagave dhe sigurimi që shuma e urdhëruar për pagesë të jetë brenda kufijve buxhetorë janë përgjegjësi e secilës organizatë buxhetore përkatëse. Ministria përmes Thesarit vetëm proceson pagesat në përputhje me ndarjet buxhetore të miratuara me ligj, transmeton Telenews.al
MFPT ka bërë të ditur se organizatat buxhetore duhet të planifikojnë buxhetin vjetor në mënyrë të tillë që të shmangin tejkalimet në ndarjet mujore, pasi kjo mund të çojë në vonesa apo pamundësi për ekzekutimin e plotë të pagave dhe shtesave.
“Thesari ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore për të siguruar që pagesat të jenë brenda kufijve të përcaktuar. Për çdo situatë të krijuar, përgjegjësia i takon vetë institucioneve përkatëse,” thuhet në njoftimin e ministrisë.
MFPT ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur organizatat buxhetore në planifikime më të sakta, në mënyrë që situata të tejkalohet dhe të mos përsëritet në muajt në vijim. /Telenews.al/