Telenews

Milatoviq pas betimit: Prioritet do të jetë përshpejtimi i rrugës drejt BE-së

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka bërë betimin sot në Kuvendin e Malit të Zi në Podgoricë dhe ka marrë detyrën e kreut të shtetit malazez.

“Betohem se do t’i kryej detyrat e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri, sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha ai.

Në ceremoni morën pjesë një numër i madh zyrtarësh të huaj, duke përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Gjithashtu ishte edhe i dërguari special i SHBA-së, Gabriel Escobar si dhe i dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Pas betimit, Milatoviq tha se është i nderuar që është president i Malit të Zi, vendi ku ka lindur dhe të cilin e do pa masë, raporton rtcg.

“Unë do të jem me të vërtetë president i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare dhe fetare”, tha ai.

Presidenti i ri deklaroi se së bashku me vendimmarrësit e tjerë kanë përpara detyra të mëdha, të cilat do t’i kryejnë në një mjedis më të lirë.

“Eliminimi i ndarjeve të brendshme, ndërtimi i institucioneve të forta dhe të pavarura, afirmimi i të drejtave të njeriut, shpërndarja e paanshme e drejtësisë, një shoqëri me mundësi të barabarta, si dhe krijimi i një modeli të qëndrueshëm ekonomik do të kërkojë angazhimin e plotë të vendimmarrësve dhe atyre që t’i zbatojnë ato vendime”, tha 36-vjeçari.

Milatoviq nënvizoi se prioritet i të gjitha prioriteteve do të jetë përshpejtimi i rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

Ai është presidenti i tretë që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi më 21 maj të vitit 2006.

Para tij ishte Filip Vujanoviq në tre mandate, me faktin se ai u zgjodh për herë të parë pas themelimit të Bashkimit Shtetëror të Serbisë dhe Mali i Zi. Vujanoviq u zëvendësua në postin presidencial në vitin 2008 nga Milo Gjukanoviq.

Presidenti i Malit të Zi zgjidhet për një periudhë pesëvjeçare, me zgjedhje të drejtpërdrejta. 

Të ngajshme

Shkurte Fejza dhe Shaqir Cërvadiku publikojnë këngën “O Flamur”

Erzana Fazliu

Të shtënat me armë në Prishtinë: Identifikohen dy të dyshuar, njëri arrestohet

Erzana Fazliu

Komisioni i ri Evropian votohet më 27 nëntor

Erzana Fazliu