Ka folur njëri prej 63 minatorëve që kishin mbetur të ngujuar mbrëmë në horizontin e 11-të të minierës së Trepçës.
Ai për Klan Kosovën tha se është hera e tretë që i ndodh një gjë e tillë, derisa u shpreh se gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë.
“Gjendja shëndetësore ka qenë e mirë, por atje vështirësohet ajri. Ka panik, është hera e tretë që ngujohem në minierë, po shtohet panika dhe stresi. Kam qëndruar afër dy orë e gjysmë, me pauza, në çdo horizont kemi pushuar” , u shpreh ai.
Mbrëmja e kaluar ishte e gjatë për shumë prej minatorëve që ishin në ndërrimin e dytë në Minierën e Trepçës, të cilët nuk e kishin paramenduar që do të mbesnin të ngujuar deri në orët e vona të pasmesnatës kur të gjithë minatorët që kishin mbetur të bllokuar kanë dalë dhe janë mirë me shëndet.
Lajmin e konfirmoi drejtori i Trepçës, Shyqyri Sadiku.
“Po, të gjithë minatorët e bllokuar kanë dalë dhe janë mirë me shëndet”, tha Sadiku.

