Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, sot njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, P.B., dhe një bashkëpunëtoreje profesionale, E.Th., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, në periudhën 5 janar – 4 prill 2024, të pandehurit dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk kanë përmbushur detyrat ligjore, duke lejuar rrënimin e kompleksit “Saraji i Vjetër” në Prizren, i cili gëzon statusin e mbrojtjes së përhershme si monument kulture.
Në dokumentin e prokurorisë thuhet se, pavarësisht se drejtori i urbanizmit kishte njohuri për mbrojtjen ligjore të këtij objekti, ai nuk e ka parandaluar rrënimin, ndërsa bashkëpunëtorja profesionale ka lëshuar kushtet ndërtimore, vendimin për rrënim dhe më pas edhe lejen për ndërtimin e një kompleksi banesor mbi gërmadhat e tij.
Me këto veprime, sipas prokurorisë, është shkaktuar një dëm i pariparueshëm kulturor dhe financiar prej mbi 15.9 milionë euro.
Ky zhvillim vjen pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Ministria e Kulturës, e cila e kishte cilësuar rrënimin e “Sarajit të Vjetër” si një shkelje të rëndë me pasoja të pakthyeshme për trashëgiminë kulturore.
Prokurori i çështjes ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Ndërkohë, Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal edhe për Komunën e Prishtinës, duke kërkuar që e njëjta qasje e Prokurorisë së Prizrenit të zbatohet edhe në kryeqytet.