Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është liruar nga spitali pas ndërhyrjes kirurgjike që e kishte pasur të premten.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, ku theksohet se Latifi është në gjendje të mirë shëndetësore.
Tutje në njoftim thuhet që Latifi e ka falënderuar mjekët dhe infermierët për kujdesin e treguar gjatë trajtimit të tij, nga dita e premte.
“Pas ndërhyrjes që ministri Latifi ka pasur në orët e para të mëngjesit ditën e premte, ai është liruar në shtëpi ditën e diel në gjendje të mirë shëndetësore dhe pret që sa më parë t’u kthehet aktiviteteve të tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë”.
“Duke shprehur falënderimin e tij, Ministri Latifi shpreh në të njëjtën kohë mbështetjen dhe përkushtimin për fuqizimin e shërbimeve shëndetësore të sektorit publik në vend dhe u bën thirrje qytetarëve që të kenë besim të plotë në përkushtimin dhe profesionalizimin e personelit të QKUK-së dhe spitaleve të tjera në vend”, thuhet tutje në njoftim.