Telenews

Ministri malazez refuzon ekstradimin në Kosovë të serbit të dyshuar për krime lufte

Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Marko Kovaq, ka refuzuar kërkesën e Kosovës për ekstradimin e shtetasit serb Momçilo Vukotiq (61), për ndjekje penale për krime lufte kundër civilëve, i cili u arrestua në Mal të Zi dhe ndodhet në paraburgim ekstradimi.

Kështu ka mësuar portali i transmetuesit publik të Malit të Zi nga Ministria e Drejtësisë atje.

Gjykata konstatoi se ishin plotësuar kërkesat ligjore për ekstradim, por ministri i Drejtësisë e refuzoi kërkesën për ekstradim. Ai beson se është shkelur neni i tretë i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore.

“Në vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për fillimin e hetimeve, nuk thuhet se cilat veprime dyshohet se i ka kryer Vukotiqi, të cilat janë pjesë e veprave penale, por vetëm thuhet se pas 24 vitesh është paraqitur një dëshmitar i cili e njohu foton e tij në një album”, kanë thënë burime të portalit nga Ministria e Drejtësisë.

Burimet i kanë thënë më tej portalit se ky nuk është rasti i vetëm “ku Kosova kërkon që ne të dorëzojmë një shtetas të Serbisë për krime lufte”.

“Epo, momenti politik, marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës në aspektin e mungesës së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të gjyqësorit të tyre dhe tensioneve të shtuara, të cilat kulmojnë me diçka që nxjerr në pah dyshimin se bëhet fjalë për përndjekje politike dhe sigurisht që bëhet fjalë për një person të moshuar. Është konstatuar se me ekstradim do të shkelet neni 3 i Konventës, dhe baza dhe autoriteti për refuzim rrjedh nga ligji për ndihmë juridike ndërkombëtare në çështjet penale dhe Konventa evropiane për ekstradimin”, i ka thënë Ministria RTCG-së.

Policia malazeze arrestoi Momçilo Vukotiqin (61), shtetas i Serbisë, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile në vitin 1999, në territorin e Pejës.

“Zyrtarët e Sektorit Kundër Krimit, duke kryer një bastisje të synuar ndërkombëtare, së bashku me zyrtarë policorë në Plavë dhe Berane, kanë gjetur dhe arrestuar M.V. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës ndaj popullatës civile”, njoftoi Drejtoria e Policisë në fund të shtatorit.

Sipas tyre, gjyqtari hetues i Gjykatës së Lartë në Bijelo Polje ka urdhëruar Vukotiqin në paraburgim ekstradues. /Telenews.al/

Të ngajshme

Drenusha: Kam hyrë beqare, mund edhe të dashurohem

Erzana Fazliu

Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fillim të vitit të ardhshëm

Erzana Fazliu

Getinjo dhe Mozziku sot nisin ditën në këtë vend të shenjët

Erzana Fazliu