Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se disbursimi i fondeve për përfituesit e Pakos për Mbështetje të Energjisë pritet të përmbyllet deri në muajin korrik 2025. Sipas njoftimit të pranuar nga Bashkimi Evropian, procedurat janë në fazën e fundit, dhe menjëherë pas përfundimit të tyre, Ministria do të ekzekutojë pagesat për qytetarët përfitues.
Kjo pako synon të ndihmojë qytetarët, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta dhe grupet më të cenueshme, përmes subvencionimit të pajisjeve me efikasitet të lartë energjetik dhe sistemeve të energjisë së ripërtëritshme për përdorim në amvisëri.
Deri më tani, janë përzgjedhur 11,188 përfitues që kanë përmbushur të gjitha kriteret, me një vlerë totale subvencionimi prej 4,987,061 eurosh. Përfituesit janë njoftuar nga komisionet vlerësuese pas një procesi të rregullt të vlerësimit dhe miratimit.
Ndërkohë, janë edhe 1459 qytetarë dhe 10 biznese që pritet të përfitojnë nga kjo pako deri në fund të korrikut, pasi të finalizohet disbursimi i fondeve nga BE.
Ministria bën të ditur se ka përfunduar me kohë të gjitha procedurat administrative dhe teknike në përputhje me Vendimin Nr. 20/145 të Qeverisë së Kosovës, ndërsa raporti përfundimtar i zbatimit është dorëzuar në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë më 28 shkurt 2025.
Në fund, Ministria e Ekonomisë shpreh keqardhje për vonesat e ndodhura dhe siguron se pagesat do të realizohen sapo të përmbyllen procedurat nga ana e Bashkimit Evropian.