Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), u bën thirrje qytetarëve që, gjatë blerjes së produkteve prej ari dhe argjendi, të kërkojnë garancinë dhe dokumentacionin përkatës nga shitësi.
Sipas ministrisë, produktet prej metaleve të çmuara duhet t’i nënshtrohen verifikimit për të konfirmuar pastërtinë dhe përbërjen e tyre, në përputhje me kërkesat ligjore.
Procesi kryhet nga laboratori i AMK-së, ku produktet peshohen, kontrollohet dokumentacioni përcjellës dhe analizohet përbërja e metalit me pajisje që përdorin teknologjinë me rreze X.
Kur rezultatet konfirmojnë se produkti i përmbush kërkesat për pastërtinë dhe përbërjen e deklaruar, përgatitet raporti përkatës dhe produkti vuloset si dëshmi se i është nënshtruar verifikimit.
Njoftimi i plotë:
Nga matja deri te vula e cilësisë, si bëhet verifikimi i metaleve të çmuara
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes laboratorit për verifikimin e metaleve të çmuara kontrollon pastërtinë dhe cilësinë e produkteve prej ari, argjendi, platini dhe paladiumi, me qëllim të zbatimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtjes së interesave të konsumatorëve.
Puna e laboratorit bazohet në Ligjin Nr. 08/L-029 për Punimet nga Metalet e Çmuara, i cili përcakton kushtet e veprimtarisë dhe kërkesat teknike për përmbajtjen, përbërjen dhe pastërtinë e këtyre metaleve. Sipas kërkesave ligjore, operatorët ekonomikë duhet t’i paraqesin produktet për verifikim në AMK para se t’i vendosin ato në treg.
Procesi i verifikimit nis me pranimin e produkteve të sjella nga operatorët ekonomikë. Fillimisht, bëhet matja e tyre me peshore të kalibruar, ndërsa kontrollohet edhe dokumentacioni përcjellës, përfshirë dëshmitë për prejardhjen e produkteve dhe faturat përkatëse. Produktet duhet të jenë të dokumentuara dhe të kenë dëshmitë e nevojshme.
Pas këtij procesi, punimet nga metalet e çmuara analizohen në pajisje bashkëkohore që përdorin teknologjinë me rreze X për të përcaktuar përbërjen dhe pastërtinë e metalit. Për të siguruar saktësinë e rezultateve, laboratori kryen tri matje të njëpasnjëshme për secilin produkt, duke i krahasuar rezultatet me kërkesat dhe standardet e përcaktuara me ligj.
Në laborator verifikohen katër lloje të metaleve të çmuara: ari, argjendi, platini dhe paladiumi. Te punimet e arit, verifikimi përfshin pastërti të ndryshme, përfshirë 14, 18, 22 dhe 24 karatë. Kontrolli kryhet për secilin produkt veç e veç, pa një kufi të përgjithshëm të përcaktuar për numrin e punimeve që mund të paraqiten për verifikim.
Kur rezultatet konfirmojnë se produktet përmbushin kërkesat teknike për pastërtinë dhe deklarimin e saktë të përbërjes, AMK përgatit raportin përkatës dhe produktet vulosen për të dëshmuar se i janë nënshtruar procesit të verifikimit. Kjo u mundëson konsumatorëve të kenë më shumë siguri për produktet që blejnë, ndërsa bizneseve u ofron një proces të kontrolluar në përputhje me kërkesat ligjore.
Rëndësia e këtij shërbimi pasqyrohet edhe në kërkesat e operatorëve ekonomikë. Vetëm gjatë vitit 2025, në laboratorin e AMK-së janë pranuar 470 kërkesa për verifikimin e metaleve të çmuara.
AMK u bën thirrje qytetarëve që, gjatë blerjes së produkteve prej ari dhe argjendi, të kërkojnë garancinë dhe dokumentacionin përkatës nga shitësi. Verifikimi dhe vulosja e produkteve, së bashku me informimin e konsumatorëve, janë të rëndësishme për rritjen e besimit në treg dhe për mbrojtjen nga deklarimet e pasakta për pastërtinë e metaleve të çmuara.
Paraqitja e produkteve për verifikim është detyrim ligjor për operatorët ekonomikë, ndërsa mosrespektimi i kërkesave ligjore mund të sjellë sanksione sipas legjislacionit në fuqi.

