Telenews

MKRS reagon përsëri ndaj Komunës së Prishtinës: “Dezinformimi nuk kalon”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar ashpër ndaj Komunës së Prishtinës dhe zyrtarëve politikë për ndërhyrjet e vazhdueshme në zonat e mbrojtura me Ligjin për Trashëgimi Kulturore, duke i cilësuar justifikimet e tyre si pseudoargumente dhe manipulime të qëllimshme.

Sipas MKRS-së, përpjekjet për të justifikuar ndërhyrjet në Sheshin “George Bush”, që është pjesë e Qendrës Historike të Prishtinës, janë bazuar në dokumente të papërfunduara apo interpretime të pasakta të ligjit. Fillimisht, autoritetet komunale pretenduan se ndërhyrjet mbështeteshin në një draft të Planit të Menaxhimit, por MKRS publikoi vendimet e miratuara që dëshmojnë statusin e mbrojtur të zonës që nga viti 2020.

Një tjetër pretendim, se lista e përkohshme e trashëgimisë kulturore ka vlefshmëri vetëm një vit, u hodh poshtë nga MKRS me argumentin se vazhdimi i vlefshmërisë është zbatuar në mënyrë të pandërprerë që nga viti 2008 nga të gjithë ministrat e MKRS-së, pa përjashtim. Sipas institucionit, nëse kjo logjikë do të ishte e saktë, atëherë e gjithë trashëgimia kulturore e Kosovës do të dilte jashtëligjshme, dhe mbi 50 milionë euro investime në këto asete do të konsideroheshin të paligjshme.

Reagimi i Ministrisë shkon edhe më tej, duke e quajtur “vetëinkriminuese” deklaratën e fundit të disa ish-ministrave, të cilët pranuan ekzistencën e listës që përfshin edhe Sheshin “George Bush”, por e kontestuan vlefshmërinë e saj për shkak të mungesës së regjistrimit në kadastër. MKRS thekson se regjistrimi në kadastër nuk është kusht për zbatimin e mbrojtjes ligjore, por vetëm një hap teknik, dhe se mbrojtja ligjore është e plotfuqishme që nga miratimi i vendimeve.

“Nëse do të ndiqej logjika e ish-ministrave, atëherë edhe vetë ata do të duhej të ndiqeshin penalisht për keqpërdorim të buxhetit dhe shkelje të ligjit, gjë që tregon absurditetin e pretendimeve të tyre”, thuhet në reagim.

MKRS kërkon që proceset ligjore dhe autoriteti i institucioneve kompetente të mos përdoren për qëllime politike apo për të arsyetuar dështimet në projektet komunale. Institucioni bën thirrje për respektim të ligjit, parimeve të konservimit dhe rekomandimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe për pajisje me lejet e nevojshme për çdo ndërhyrje.

“Mos kërkoni fajtor aty ku nuk ka, madje duke vetëinkriminuar veten”, përfundon deklarata e MKRS-së.

Të ngajshme

9 qytetet më të lira dhe më me stil në Evropë për këtë verë, mes tyre edhe Tirana

KushtrimGuraj

Lëvizjet në Administratën Trump, emri i Grenell përmendet për një pozitë të rëndësishme

KushtrimGuraj

Tahiri përjashton kategorikisht koalicionin me VV-në

Donat Hashani