Për që Hekuran Murati ka reflektuar në raport me luftën çlirimtare të Kosovës nga mendimet e tij të vitit 2016 kur konstatonte se më pak do të kushtonin mercenarët se ushtarët e UÇK-së, nuk po e beson kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.
Ndonëse ministri Murati ka kërkuar falje publike për shprehjet e tij të asokohe, Molliqaj konsideron se “Murati i ri është ai i vjetri”.
Megjithëkëtë, protestën që PSD e paralajmëroi për 6 korrik rreth shkarkimit të ministrit të financave si pasojë e gjuhës së tij të pamatur, Molliqaj lajmëroi se e kanë shtyrë “për një moment të dytë”.
“Me çka matet një pendesë nëse jo me veprime politike? Me çka matet vërtetësia e fjalës së thënë përpos me materializim të saj? Cila është konsekuenca politike e një pozicioni rrënues ndaj bindjeve tona si shoqëri, për liri e çlirim? Çfarë mbetet nga kërkimfalja, kur asaj i kalkulohet motivi? Cili na qenka morali i saj?”, shkroi Molliqaj në formë pyetjeje në Facebook.
“Që ministri Murati ka ndërruar, zor t’i zihet besë. Ajo logjikë nxjerr krye tek vonesa në reagim. E përllogaritur sikur tek statusi për koston financiare të lirisë. Pendesa duket ndryshe dhe pasohet nga veprime konkrete. Test provues më i afërt në kohë do të jetë ligji për pagën minimale”.
Kryetari i PSD-së, ka siguruar se në mënyrë të pakompromis do t’i kundërshtojë ato që ai i quajti “të gjitha elementet e kësaj qeverie anti-UÇK”.
“Është presioni i qytetarëve që e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së. Ai u tërheq. Kjo fitore është e qytetarëve, por është e pamjaftueshme meqë është formale, sa për opinion publik. Është farsë”.
“Mirëpo, për një fitore edhe më të madhe se kjo, ku e vërteta për çlirimin do të ishte e pacenushme, një herë e mirë, duhet një organizim edhe më i fuqishëm. Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja”, vazhdoi Molliqaj.
“Në këtë rrethanë, ne duhet që protestën ta shtyjmë për një moment të dytë. Ditëve në vijim do të njoftoheni për aktivitetet e radhës”, përfundoi kryetari i PSD-së.

