Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, nuk i ka besuar kërkimfaljes së Hekuran Muratit për postimet e para disa viteve për veteranët e UÇK-së.
Ai ka thënë se nuk do të tërhiqen nga protesta e 6 korrikut ku do të kërkojnë shkarkimin e Hekuran Muratit.
Molliqaj tha se Murati nuk foli pas dy ditësh reagime, por vetëm dy orë pasi u bë publike se do të ketë protestë ku kërkohet shkarkimi i tij.
“Pendimi i vërtetë është dorëheqja. Shihni kalendarin: dy dite reagime në rritje dhe dy orë pas thirrjes së protestës, ministri Murati reagon. Tepër vonë për të qenë e sinqertë. Çdo kërkim falje ka qëllim amortizimin e revoltës. Dhe ruajtjen e vetës, kuptohet. Presioni nuk pranohet. Protesta vazhdon”, ka shkruar ai në Facebook.
Dardan Molliqaj gjatë ditës së djeshme e ka publikuar edhe numrin e telefonit të ministrit Hekuran Murati ku ka kërkuar nga qytetarët që t’i shkruajnë për t’ia kërkuar dorëheqjen.