Reperi i njohur nga Ferizaj, Mozzik, ishte i pranishëm sot në protestën madhështore të zhvilluar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë për akuza të pretenduara për krime lufte.
Në mesin e mijëra qytetarëve, politikanëve dhe figurave publike, Mozzik u dallua me paraqitjen e tij simbolike dhe përkushtimin ndaj kauzës kombëtare.
Ai ishte i veshur me një sako të zezë ku ishte stampuar thënia e njohur e Kadri Veselit: “Jam krenar që i jam përgjigjur thirrjes së vendit për lirinë e kombit tim”.
Foto: Mozik/InstaStory
Përveç kësaj, mbi xhupin e tij ai kishte të vendosur emblemën me shqiponjën dykrenare dhe tekstin “UÇK”, duke shprehur qartë solidarizimin me ish-krerët e luftës.
Mozzik u pa duke bashkëbiseduar dhe fotografuar me qytetarët, ndërsa përmes postimeve të tij në rrjetet sociale, ai ndau emocionet dhe atmosferën e ngarkuar me krenari e revoltë të protestës.
Foto: Mozik/InstaStory
Protesta u organizua në mbështetje të Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë për krime të supozuara gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Për shumë qytetarë të Kosovës dhe Shqipërisë, këta figura përfaqësojnë simbolin e lirisë dhe të sakrificës për çlirimin e vendit.
Foto: Mozik/InstaStory