Inspektorati Shëndetësor po mbledh të dhënat lidhur me rastin e ndodhur në Klinikën e Kardiokirurgjisë, ku një pacient ka vdekur disa orë pasi kishte kaluar një operacion të vështirë. Drejtori i kësaj klinike kishte thënë se kirurgu që kreu këtë operacion ishte pa përvojë për të. Kurse kirurgu ka thënë se ndaj tij është bërë tentim për eliminim profesional.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ka aktivizuar mekanizmat e saj për zbardhjen e rastit.
Për çdo gjetje nga institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë do të merren masat sipas ligjeve në fuqi, ka thënë ministria.
Ndërkohë, lidhur me rastin kirurgu Kushtrim Shala është kritikuar edhe për publikimin e pamjeve nga operacioni, për të cilat SHSKUK-ja ka thënë se pa leje nuk guxojnë të dalin pamje të tilla.

