M.K
Verësoj çdo nismë që synon të adresojë diskriminimin ndaj shqiptarëve në Serbi.
Kjo përfshin edhe përpjekjet për një Rezolutë parlamentare që e artikulon këtë realitet. Por kur flasim për të drejta, nuk mund të shmangim një të vërtetë themelore: nuk mund të ketë të drejta pa njerëz.
Prandaj, çdo tekst që synon të adresojë pozitën e shqiptarëve në Serbi, nuk mund të ndalet vetëm te ndalimi i pasivizimit arbitrar por duhet ta thotë qartë: adresat duhet të kthehen, dhe bashkë me to, duhen rikthyer të gjitha të drejtat qytetare, politike e sociale që u janë marrë padrejtësisht mijëra qytetarëve shqiptarë.
Çështja e pasivizimit është një veprim perfid administrativ permes te cilit po kryhet spastrim i heshtur etnikë, sidomos ne Medvegjë ,duke ndryshuar strukturën etnike në jug të Serbisë, me ritme te shpejta.
Prandaj, një projekt i tillë nuk mund të amnistohet me fraza të përgjithshme. Përndryshe, po kërkojmë të drejta për ata që nuk janë më të pranishëm në letër një absurditet në vetvete.
Po ashtu, historia nuk mund të rishkruhet në prag zgjedhjesh apo karrierash të stërgjatura. Heshtja që e mbajti këtë temë në margjinë për dekada nuk mund të shndërrohet sot në zë shpëtimi. Ata që e kanë heshtur pasivizimin për vite, e kanë obligim moral dhe politik të dëgjojnë zërin e atyre që e përjetuan mbi shpinë këtë padrejtësi.
E ardhmja e shqiptarëve në Serbi nuk do të ndërtohet mbi harresë apo retorikë por mbi drejtësi, rikthim të të drejtave të mohuara, dhe mbi një kujtesë që nuk pranon të fshihet.
M.K.