Telenews

Murati akuzon Komunën se kontrata për “Xhorxh Bush” u nënshkrua kundërligjshëm

Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj projektit për rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, duke e quajtur atë një rast flagrant të shkeljes së legjislacionit financiar dhe atij të prokurimit publik.

Murati e ka cilësuar si të papranueshëm nënshkrimin e kontratës për këtë projekt, në vlerë prej 18 milionë euro, pa pasur fondet e nevojshme të ndara në buxhetin e shtetit.

Përmes një postimi në Facebook Murati, tha se procedura e tenderimit dhe nënshkrimi i kontratës janë bërë pa respektuar kërkesat ligjore për ndarjen e mjeteve financiare për projekte të tilla.

Postimi i plotë:

Shpallja e tenderit dhe nënshkrimi i kontratës 18 milionë euro për Sheshin Xhorxh Bush nga Komuna e Prishtinës është bërë pa pasur buxhetin e nevojshëm të ndarë, gjë që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Për çdo procedurë prokurimi, kërkohet të nënshkruhet Deklarata e Disponueshmërisë së Fondeve, e cila siguron se organizata, në këtë rast Komuna e Prishtinës, ka fondet e mjaftueshme të buxhetuara.

Në Deklaratën e Disponueshmërisë të nënshkruar në vitin 2024 nga Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe nga Zyrtari Kryesor Financiar, thuhet se mjetet e nevojshme për këtë projekt janë 18.4 milionë euro, dhe se ato janë të buxhetuara në kodin 53984 – Rregullimi i Sheshit “George Bush”.

Problemi qëndron në faktin se në kodin e projektit në fjalë, në vitin 2024 kanë qenë të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, nga mjetet vetanake të bartura nga viti paraprak.

Pra, Komuna e Prishtinës ka nisur procedurë prokurimi me vlerë 18.4 milionë euro, duke pasur të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, apo 1/10 e buxhetit të nevojshëm.

Ndërkaq pas zhvillimit të procedurës së prokurimit, kontrata është nënshkruar sivjet, që përbën shkeljen e radhës, sepse buxheti i Komunës së Prishtinës megjithëse i miratuar në asamble, për shkak të miratimit me vonesë, ende nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës për t’u integruar si plotësim/ndryshim i Ligjit për Ndarje Buxhetore për vitin 2025.

Me fjalë tjera, ligji i buxhetit aktualisht në fuqi për vitin 2025, nuk e përmban fare projektin e Sheshit Xhorxh Bush, pra ka 0 euro ndarje buxhetore, por që Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën pavarësisht mungesës së ndarjes buxhetore.

Raste të tilla të futjes në obligime financiare pa mbulesë përbëjnë shkelje të ligjit për financa publike si dhe ligjit për prokurim publik, dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të komunës.

Dëshiroj të besoj që organet e rendit do të kenë zellin e nevojshëm ta trajtojnë këtë rast flagrant të shkeljes ligjore.

Të ngajshme

E ngjashme me ChatGPT, Shqipëria do të financojë me 10 mln dollarë projektin e Mira Muratit

KushtrimGuraj

Musliu reagon ndaj deklaratës së gazetarit serb: Fyes dhe e rreme, Afrim Bunjaku u v*ra me qëllim

KushtrimGuraj

Ministria me Xhelal Sveçlën në detyrë hap tender 15 mijë euro për aparat e kapsula të kafesë

KushtrimGuraj