Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se puna e institucionit me të lartë vendimmarrës siç është Kuvendi i Kosovës ka degraduar skajshmërisht, përmbajtësish e teknikisht.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu, ka shkruar se nuk respektohet rregullorja e punës së Kuvendit.
“Nuk respektohet rregullorja e punës së kuvendit nëpërkëmbet dinjiteti deputetit dhe rrjedhimisht nuk ka përfaqësim të interesave të qytetarëve të Kosovës në Kuvend. Në vend që Kuvendi të kontrolloj punën e Qeverisë ndodh e kundërta Qeveria e kontrollon Kuvendin e Kosovës. Komisionet parlamentare në vend që të jenë gardian të kontrollit demokratik janë shndërruar në nënkomisione të Qeverisë”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ndër të tjera, deputetja Musliu ka thënë se mbledhjet thirren pa respektimin e rregullores dhe pa respektimin e afateve kohore, dhe se ligjet votohen për ta kënaqur ‘liderin suprem’.
“Bazuar në arrogancën e numrave, mbledhjet thirren pa respektimin e rregullores dhe pa respektimin e afateve kohore dhe si pasoj e kësaj, projektligjet votohen në komisione pa i lexuar fare deputetet dhe si të tilla pastaj i servohen Seancave Plenare ku makineria votuese e shumicës parlamentare nuk pyet as për kualitetin e ligjeve as për procedurat, thjesht kryejnë urdhërat nga lart dhe i votojnë ligjet për ta kënaqur ‘’liderin suprem’’, ka thënë deputetja Musliu.
Përmes këtij Statusi, deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, ka ilustruar edhe thirrjen e mbledhjes së djeshme të Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
“Për ta ilustruar këtë po bëjë publike vetëm thirrjen e mbledhjes se djeshme të Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ku edhe pse kishim mbledhje jashtë orarit të rregullt e cila u mbajt në orën 9:00, gjatë seancës ku po shqyrtohej në lexim të dytë Ligji për Buxhetin për vitin 2024 që është ligji më i rëndësishëm dhe do duhej të shqyrtohej e të trajtohej me përgjegjësi të lartë, përveç që injoruan të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita madje edhe atë ku bëhej fjalë për sigurimin e protezave të invalidëve të luftës të cilët lanë gjymtyrët e tyre në betejat frontale të luftës për liri, makineria votuese me arrogancën e numrave thirri mbledhje të komisioneve parlamentare pa respektuar Rregulloren e Kuvendit dhe votoj ligjet shkel e shko pa pas asnjë urgjencë, thjeshtë për ti proceduar në seancën e natës që u mbajtë mbrëmë dhe për të kokorisur pastaj e për tu krekosur se gjoja kemi miratuam kaq ligje ne sesionin vjeshtor”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka publikuar edhe fotografi të bashkangjitura të ftesës për mbledhjen e komisionit në fjalë./Telenews./