Ish-kryeministri i Kosovës, nga Lidhja Demokratike, Isa Mustafa, beson që partitë opozitare e kanë parë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dokument ky i prezantuar në takimin me të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, transmeton Telenews.
Ish-kreu i LDK-së u shpreh i bindur se nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri e ka konsultuar draftin sikurse edhe të gjithë krerët e opozitës që ishin në takim, duke shtuar se përfaqësuesi i BE-së nuk ka pasur arsye që dikuj t’ia prezantojë dokumentin e dikuj jo.
“Të gjitha plotësim ndryshimet e statutit duhet t’i nënshtrohen Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk e kam parë draftin. Draftin duhet ta shohë Kuvendi, duhet ta shohin deputetët. Duhet ta shohin partitë opozitare, edhe pse po thonë që nuk e kanë pa unë besoj që e kanë parë, por duan që t’i ikin përgjegjësisë, të mbulohen. Sepse nuk ka mundësi që në takim Lajçaku të zgjedh se kujt t’ia prezantojë e kujt jo draftin. Nuk i besoj as Hazirit e as LDK-së që nuk e kanë pa draftin”, u shpreh Mustafa.
“Patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, pra që ta lexojmë në tërësi”. Kjo deklaratë e kryetarit të subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, del të jetë krejtësisht e pavërtetë.
Lajçak më 7 nëntor u takua në Prishtinë me Haradinajn, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, me të cilët bisedoi për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Për dallim nga Haradinaj, si Krasniqi ashtu edhe Haziri thanë se nuk e kanë parë dokumentin e draftit. Ata thanë se kanë kërkuar nga Lajçaku më shumë hollësi për këtë dokument.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se në takim, Lajçak ka përsëritur se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, Krasniqi shtoi se “ne, fatkeqësisht, nuk patëm mundësi ta shohim përmbajtjen e tij”.
Se një dokument i tillë nuk është prezantuar në takim, e pohoi edhe Haziri nga LDK-ja.
“Besoj që angazhimi i tij [Lajçakut] është për t’u vlerësuar dhe ndarja e kohës për LDK-në dhe partitë e tjera opozitare është për t’u vlerësuar, përkundër që po vazhdojmë të mbahemi, në një formë apo një tjetër, në terr për shkak të moszbardhjes së dokumentit, të mosbërjes transparent së paku në parime dhe angazhime apo në orientime që duhet kryeministri i Republikës, si kryenegociator, t’ia ofrojë deputetëve në çfarëdo forme dhe popullit të Kosovës”, tha Haziri pas takimit të 7 nëntorit.
Më 21 tetor, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u është prezantuar një draft-statut për Asociacionin, që BE-ja e ka përshkruar si model modern evropian. Ky dokument u soll në Prishtinë dhe Beograd gjatë takimeve të “Pesëshes së Madhe” apo përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe BE-së./Telenews./