Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka shprehur ngushëllime për vdekjen tragjike të 13-vjeçarit Zejn Zejnullahu nga Gadimja e Lipjanit.
Nxënësi 13-vjeçar Zejn Zejnullahu, i cili më herët ishte raportuar si i zhdukur dhe më pas u gjet në lumin e Gadimes, fatkeqësisht ka ndërruar jetë, mbrëmjen e së martës.
Përmes një reagimi, Nagavci ka thënë se me dhimbje të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të nxënësit të shkollës “Zenel Hajdini”, duke theksuar se humbja e një fëmije është një plagë që fjalët vështirë se mund ta shërojnë.
Ajo ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të saj dhe të Ministrisë së Arsimit për familjen Zejnullahu, bashkëmoshatarët e të ndjerit, mësimdhënësit dhe gjithë komunitetin, që po përballet me këtë humbje të madhe.
“Lutemi që prindërit dhe të afërmit të gjejnë forcën për ta përballuar këtë dhimbje të rëndë, ndërsa Zejni u prehtë në paqen e përjetshme”, ka shkruar Nagavci.

