Stërvitja e parë ushtarake e NATO-s në shkallë të gjerë në Letoni përfundoi të enjten pas një misioni trajnimi shumëkombësh dy-javor në rajonet e Vidzeme dhe Zemgale.
Në bazën ushtarake pranë kryeqytetit Riga, ushtarët u ngarkuan “të depërtojnë në mbrojtjen e armikut dhe të rikuperojnë territorin” në një stërvitje të shumëanshme që përfshin tanke Leopard 2 dhe automjete të blinduara LAV4, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Që nga fillimi në shkallë të plotë i agresionit i Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, aleanca ka qenë e prirur të rrisë sigurinë në Baltik, duke lidhur në veçanti Letoninë dhe Kanadanë.
Në Samitin e Madridit të NATO-s në qershor të të njëjtit vit, ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s.
“Stërvitja e Brigadës Shumëkombëshe të NATO-s në Letoni është një demonstrim i qartë i pranisë aleate në rajonin e Baltikut dhe angazhimit të tyre, së bashku me forcat e armatosura kombëtare, për të mbrojtur Letoninë, nëse është e nevojshme”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Andris Sprūds në një deklaratë para stërvitjeve.
Stërvitja më e madhe ndërkombëtare që Kanadaja ka udhëhequr që nga vitet 1980, Operacioni Resolute Warrior shfaqi aftësinë e brigadës për të projektuar forcat e saj dhe për të mbajtur komandën, kontrollin dhe komunikimin.
Brigada shumëkombëtare e NATO-s në Letoni aktualisht përbëhet nga 13 vende kontribuuese, duke përfshirë Shqipërinë, Kanadanë, Republikën Çeke, Danimarkën, Islandën, Italinë, Letoninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Poloninë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Spanjën.