Telenews

NATO shton prezencën në Kosovë, Stoltenberg: Kemi dislokuar 700 trupa, një batalion shtesë po ashtu i gatshëm nëse nevojitet

Aleanca veri-atlantike ka marrë vendim sot për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, pas trazirave të fundit në veri të Kosovës ku u lënduan 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka treguar se bëhet fjalë për 700 ushtarë që do të dislokohen në atë pjesë të vendit, derisa një batalion shtesë është po ashtu në gjendje gatishmërie.

“Ne do të vazhdojmë të veprojmë sipas mandatit që buron nga OKB-ja. Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu kemi vendosur në gatishmëri një batalion shtesë, që të zhvendoset nëse duhet. Këto janë hapa për të garantuar se KFOR-i ka forcën dhe aftësinë për të vepruar sipas mandatit që e ka”, tha Stoltenberg në një konferencë për media në Norvegji.

Ai bëri thirrje që Prishtina dhe Beogradi të angazhohen për t’i ulur tensionet.

“Dhuna kthen Kosovën prapa e po ashtu të gjithë rajonin. I vendos në rrezik aspiratat euroatlantike. Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin hapa konkret për t’i ulur tensionet. Të frenohen nga veprimet e papërgjegjshme e të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është rruga e vetme”, ka thënë Stoltenberg.

Stoltenberg po ashtu dënoi sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan të hënën, ku u lënduan 30 ushtarë.

“Ne e dënojmë sulmin e paprovokuar. Është e papranueshme dhe duhet të ndalet”.

Të martën, KFOR bëri të ditur se tre prej ushtarëve morën lëndime nga armët e zjarrit, teksa 27 ushtarët e tjerë kanë lëndime të ndryshme, por që të gjithë nuk kanë plagë vdekjeprurëse.

KFOR tha se ndërhyri në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit” dhe se paqeruajtësit “parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës”.

Serbët kanë protestuar edhe të martën në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe duke kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Për shkak të rritjes së tensioneve, KFOR në fillim të javës njoftoi se ka shtuar prezencën në veri të Kosovës. Ky mision paqeruajtës ka rreth 4.000 trupa në Kosovë.

Të ngajshme

Në mbledhje elektronike, qeveria bën dy emërime

Donat Hashani

Kandidati për prokuror të shtetit ndalohet për dhunë në familje nga Prokuroria e Prizrenit

Donat Hashani

Zyrtarja e lartë e PDK-së sot mban konferencë për media

Donat Hashani