Telenews

NATO: Situata e sigurisë në Kosovë nuk është stabilizuar, ka mundësi për përkeqësim

NATO-ja dhe forca e saj paqeruajtëse në Kosovë, e njohur me shkurtesën KFOR, janë “shumë të shqetësuar për situatën e sigurisë dhe mundësitë e përkeqësimit të saj” dhe nxisin palët të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje politike, tha të enjten një zyrtar i aleancës në Uashington, ku krerët e aleancës po takohen për të shënuar 75 vjetorin e saj.

“Në NATO, ne jemi të mendimit që zgjidhja dhe stabilizimi në të ardhmen i situatës së sigurisë do të varet plotësisht nga zgjidhjet politike. E kemi theksuar vazhdimisht nevojën për dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe angazhim konstruktiv diplomatik. Po ashtu kemi theksuar nevojën për shmangien e veprimeve të njëanshme që mund të provokojnë incidente sigurie,” u tha gazetarëve një zyrtar i NATO-s, i cili foli për situatën e sigurisë në Kosovë, ku NATO ka misionin më të madh dhe më të gjatë paqeruajtës në botë, me kusht që të mos identifikohet me emër.

Sipas zyrtarit të NATO-s, “është për të ardhur keq që angazhimi në dialog nuk ka prodhuar marrëveshje apo çuar drejt thellimit të dialogut dhe kjo nënkupton që tensionet në terren vazhdojnë të kenë pasoja për sigurinë.”

“Ne vazhdojmë … t’i nxisim të dyja palët që të angazhohen në mënyrë sa më konstruktive dhe më të dobishme, sepse e vetmja zgjidhje e vërtetë e situatës është zgjidhja politike,” shtoi ai.

Sipas zyrtarit, paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë kanë shtuar kapacitetet e tyre, duke rritur numrin e ushtarëve nga 3700 në 4600 paqeruajtës, që përbën shtimin më të madh të forcave të NATO-s në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në kuadër të masave të tjera konkrete, sipas zyrtarit, trupat e NATO-s po ashtu kanë katërfishuar praninë e tyre në pjesën veriore të Kosovës dhe kanë trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto masa të shtuara të sigurië janë bërë si pasojë e përshkallëzimit të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, sidomos pas protestave të dhunshme që lanë mbi 90 ushtarë të KFOR-it të plagosur më 29 maj në një përleshje me grupe protestuesish serbë që kundërshtonin zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale të bojkotuara nga partitë politike serbe. Dhuna shpërtheu pasi autoritetet e Kosovës shoqëruan me forca policore kryetarët e komunave në zyrat e tyre, me gjithë thirrjet perëndimore për ta shmangur një veprim të tillë.

Situata në Kosovë u përshkallëzua edhe më tej më 24 shtator, kur një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën, gjatë përleshjeve me një grup të armatosur serbësh në veriun e banuar me shumicë serbe, në fshatin Banjskë. Tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajonin e brishtë.

Një sasi e madhe armatimi u konfiskua gjatë këtij incidenti, për të cilin Kosova fajësoi Serbinë, akuza të cilat Beogradi i hodhi poshtë, duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.

Këto incidente u pasuan me shqetësimin e ngritur nga Shtetet e Bashkuara për një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën dhe kërkesën Serbisë që urgjenisht të largonte forcat nga kufiri.

Mbi këto incidente të sigurisë, zyrtari tha se NATO-ja vazhdon t’i nxisë “të dyja palët që t’i trajtojnë këto situata me seriozitet maksimal, sidomos për sa i përket përgjegjësisë.”

“Është shumë e rëndësishme për NATO, jo vetëm pse ushtarët tanë u plagosën më 29 maj, por sepse pranimi i përgjegjësisë është pjesë e ecjes përpara në këtë proces politik. Të gjitha palët duhet ta ndjejnë se kanë përgjegjësi dhe po ashtu të ndihen që zëri i tyre po dëgjohet, në mënyrë që të jemi në gjendje të ecim drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme,” deklaroi zyrtari./voa/

Të ngajshme

Tentim vrasje në Skenderaj, theren me thikë dy të mitur – dërgohen në QKUK

KushtrimGuraj

Tayna nesër publikon këngën e re, duet me reperin grek!

Erzana Fazliu

James Rodriguez po rikthehet në Evropë, i propozohet skuadrës italiane

Erzana Fazliu