Në mungesë fondesh, nga data 29 dhjetor, “Linja e Jetës” do të jetë e qasshme vetëm për katër orë në ditë.
“Linja e Jetës” në Kosovë, adresë për parandalimin e vetëvrasjeve, po lufton të qëndrojë e hapur, por themeluesit thonë se shërbimi është i mbingarkuar pa mbështetje shtetërore.
Nga fillimet e vështira deri te qindra thirrje mujore, “Linja e Jetës” tani është detyruar ta zvogëlojë ndjeshëm orarin e punës, shkaku i fondeve të pamjaftueshme.
Në mungesë të institucionalizimit të këtij shërbimi, stafi frikësohet se thirrjet e humbura mund të kenë efekt negativ në numrin e vetëvrasjeve.
E diel, 17 nëntor 2019. Kjo datë është gravuar në kujtesën e Bind Skejës, drejtuesit të “Linjës së Jetës”, qendrës telefonike për parandalim të vetëvrasjeve në Kosovë.
Në atë datë, “Linja e Jetës” kishte marrë telefonatën e parë. Tani, gjashtë vjet më vonë, vullnetarët e angazhuar përgjigjen në qindra thirrje çdo muaj.
“Fillimisht, kemi pasur vetëm një telefon. Bateria na është ndalur disa herë në fillim, e pastaj, gradualisht, i kemi rregulluar pajisjet dhe e kemi vendosur orarin”, tregon Skeja për Radion Evropa e Lirë.
Por, menaxhimi i këtij shërbimi nuk vjen falas, edhe pse në të janë të angazhuar kryesisht vullnetarë dhe praktikantë me një pagë minimale.
Dhe pikërisht kjo është shndërruar në problem: financimi. Edhe orari që ishte vendosur – prej orës 10:00 deri në 02:00 të mëngjesit – tani është i pamundur.
Në mungesë fondesh, nga data 29 dhjetor, “Linja e Jetës” do të jetë e qasshme vetëm për katër orë në ditë, nga 18:00 deri në 22:00.
Në gjashtë vjetët e funksionimit deri më tani, ky shërbim që ofrohet nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), është financuar nga grante e projekte të fituara prej ambasadave dhe institucioneve ndërkombëtare.
Ata kanë fituar edhe fonde nga Komuna e Prishtinës, Presidenca dhe Ministria e Shëndetësisë. Por, sipas themeluesve, këto para të ndara nga institucionet shtetërore kanë qenë jodomethënëse për buxhetin e linjës.
“’Linja e Jetës’ funksionon tani vetëm falë fondeve ndërkombëtare, jo buxhetit të shtetit. Kjo është absurde. Një shërbim jetik si ky nuk mund të varet nga mbështetja prej ambasadave”, thotë Skeja.
Për ta ilustruar pse e quan absurditet, ai sjell një shembull: do të ishte sikur ambulancat në Kosovë të financoheshin nga Ambasada e Suedisë. Dhe nëse një ditë kjo ambasadë vendos se nuk është më e interesuar ta vazhdojë financimin, atëherë qytetarët e Kosovës do të mbeteshin pa shërbimin e ambulancës.
Kjo, pasi që institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë lloj shërbimi që targeton personat që kanë mendime për vetëvrasje, përveç kur bëhet fjalë, ta zëmë, për parandalimin e vetëvrasjeve brenda qelive në burgje.
“Po e them thjesht: nëse s’do të ishte ‘Linja e Jetës’, atëherë Kosova nuk do të kishte asnjë shërbim për parandalim të vetëvrasjes. Sepse, nëse s’jemi ne, ata njerëz s’kanë adresë tjetër”, thotë Skeja.
Tani, “Linja e Jetës” ka hapur thirrje që qytetarët vetë të dhurojnë para për ta mbajtur gjallë atë deri në gjetjen e një zgjidhjeje më të qëndrueshme. Skeja tregon se shuma e dhuruar tashmë, ka kaluar të gjithë shumën që ata kanë marrë ndonjëherë nga institucionet shtetërore.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Presidencën dhe Zyrën e Kryeministrit nëse ka ndonjë plan për shpërndarje emergjente të fondeve për këtë shërbim, në mënyrë që të shmanget shkurtimi i orarit, por nuk ka marrë përgjigje.
Me rreth 200 thirrje në muaj dhe 600 deri në 800 komunikime përmes mesazheve – opsion i shtuar së fundi në mesin e shërbimeve – “Linja e Jetës” është e mbingarkuar edhe me stafin aktual, pa nisur shkurtimet.
“Tani, ata që më herët kanë telefonuar natën vonë, do të mbesin të pambuluar. Disa persona na kanë thënë haptazi që shkurtimi i orarit do të ndikojë negativisht te ta. Tani, brenda orëve të punës, do të ketë shumë më shumë thirrje të humbura”, paralajmëron Skeja.

