Mitrovica do të jetë nikoqire e një mbrëmjeje të veçantë kulturore, kushtuar ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj. Koncerti do të startojë në ora 20:00, në hapësirën e pikës kryesore të Interex në po këtë qytet.
Në mbrëmjen e tretë me radhë të festivalit, që do të mbahet në Mitrovicë, publiku do të ketë rastin të përjetojë magjinë dhe emocionin e këngës shqipe përmes interpretimeve të jashtëzakonshme të artistëve ndërkombëtarë dhe vendas: mezzosopranos së njohur egjiptiane Gala El Hadidi, Edona Reshitajt, Adhurim Grezdës dhe A R B Ë R E S H Ë. Artistët do të shoqërohen nga grupi muzikor “Gent Rushi Group”, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me nostalgji.
Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” kjo mbrëmje në Mitrovicë do të jetë një vijim i homazhit artistik për bilbilin e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, duke bashkuar breza të ndryshëm përreth një trashëgimie të përbashkët kulturore.
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj do të vazhdojë rrugëtimin e tij artistik me mbrëmje të tjera në Prishtinë:
27 korrik, ora 13:30 |Educating the audience of the future (HyperActive, Prishtina Mall)
28 korrik, ora 20:30|Opera Night (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë);
29 korrik, ora 19:30| New Generation (Universiteti i Arteve, Prishtinë);
30 korrik, ora 20:30| Ensemble Evening (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë);
Festivali do të kulmojë me Gala Mbrëmjen në Sheshin Skënderbeu, më 2 gusht, ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë emra të mëdhenj të operës botërore: sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo, tenori ynë Rame Lahaj, nën tingujt e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e maestro Roberto Rizzi Brignoli.