Telenews

Nga detajet e draftit të Asociacionit deri tek kërkesa për ekstradimin e Radoicic

 

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka dhënë detaje lidhur me takimin e tij me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ku është pajtuar t’i nënshkruaj si pako marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe draftin për Asociacionin.

Megjithatë, tregoi kushtet që i vendosi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e të cilat e shqetësojnë.

Kurti në një bashkëbisedim me drejtoren e Karl-Renner-Institut, Maria Maltschnig, ka thënë se paradoksi është se Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje në Ohër dhe Bruksel, por problemi është se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë po për të mos nënshkruar.

“E tash i bije pishman edhe që ka thënë po, ka thënë po në koncept e jo në përmbajtje. E pastaj e kemi edhe aneksin zbatues që ka 12 pika, por së voni kemi pasur edhe një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është sjellë nga pesëshja e të dërguarve speciale, për të cilin i kamë dhënë kritikat e mija. Në takimin me kancelarin gjerman dhe presidentin e Francës, ata theksuarin urgjencën e zgjedhjes së kësaj çështje dhe thash përkundër kritikave që kam ndaj draftit për asociacionin që është më i mirë se sa ai i 2013 apo 2015, edhe pse nuk është aq i mirë sa do ta shkruaja unë vet ose sa do të dëshiroja, thash po e nënshkruajmë sonte marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe këtë draft në një pako dhe i kërkova kancelarit gjerman dhe presidentit të Francës, statusin e kandidaturës dhe partneritetin e paqes, por presidenti Vuçiq, pasi pati takim me të njëjtit njerëz tha se nuk mund ta nënshkruaj në të njëjtën letër me kryeministrin Kurti. Duhet t’i kemi dy dokumente të ndara, unë nënshkruaj me BE-në”.

“Serbia nënshkruan me BE-në, unë nuk kam konflikt me BE-në, a do të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, sigurisht që duhet ta nënshkruaj, këtë e ka bërë edhe me paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, dhe unë me kryeministren Bërnabiq kam nënshkruar , pra nuk është që nuk ka precedent të nënshkruajmë dhe ta zbatojmë, por pastaj përkundër refuzimit tradicional për të nënshkruar ai kërkoi edhe një letër anësore që do t’i dërgoheshin ndërmjetësve, ku thuhej se Serbia nuk do ta njeh kurrë Kosovën, nuk do të ketë ulëse në OKB për Kosovën, sikur të varej nga ai kjo dhe e treta nuk ka respektim të integritetit territorial dhe kjo më brengos, kjo është gjë e re, kjo është shkelje e drejtpërdrejt e marrëveshjes bazë. Çfarë dua të shoh është që miqtë e mi që e kanë ndërmjetësuar këtë dialog dhe janë referë kur ka shkelje të marrëveshjes , ku ka shkelje të secilin enën, ata duhet të fishkëllejnë , kur ka shkelje, kur ka faull duhet të fishkëllehet. Ka kaq shumë shkelje që nuk po merren parasysh dhe këtu kemi ngecur“, tha ai, duke shpresuar se do të gjendet ndonjë rrugë e duhur për nënshkrimin e marrëveshjeve”, u shpreh Kurti.

Po ashtu Kurti konsideron se tani më duhet ekstradimi i grupit të Radojçiqit dhe arrestimi i pjesëtarëve të dy organizatave serbe që Kosova i ka shpallur si terroriste.

Kreu i Qeverisë përmendi vendosjen e barrikadave, lëndimin e 90 ushtarëve të KFOR-it, rrëmbimin e tre policëve dhe vrasjen e rreshterit, Afrim Bunjakut

Ai tha se Kosovës nuk i duhet episodi i pestë, por ajo që duhet është mbështetja e BE-së dhe SHBA-së që duhet qartësisht, pafund sepse shenjat e gishtërinjve të Beogradit zyrtar janë mbi çdo gjë që ka ndodhur më 25 shtator.

Ekstradimi i Milan Radoiciqit

Kurti kërkoi ekstradimin në Kosovë të Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të cilët kanë kryer akt terrorist në Kosovë duke vrarë një polic dhe duke plagosur dy të tjerë. Radoiçiq në Serbi, sipas Kurit, është mbajtur vetëm dy orë nga policia dhe është liruar. E për ekstradimin e tij dhe grupit kriminal, kryeministri kërkoi edhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

Këto komente kryeministri Albin Kurti i bëri në një intervistë në Vjenë, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Ai tha se janë konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim, makina të blinduara e pajise të rënda ushtarake. Po ashtu Kurti përmendi edhe skenarët që Serbia kishte planifikuar t’i përdorte në Kosovë, duke vrarë edhe pelegrinët në Manastir, por edhe klerikët. E po ashtu Serbia kishte planifikuar që do ta përdormim edhe ushtrinë, por kjo nuk ndodhi dhe Serbisë i dështuan planet, tha Kurti.

“Urdhri im për ministrin e Brendshëm ishte zero viktima te civilët, asnjë plumb nga policët tanë në murin e manastirit. Çfarë na duhet tani është ekstradimi i këtij grupi të Milaln Radoiçiqit. Ai është paraburgosur për pak orë dhe është liruar menjëherë. Brigada Veriore dhe Mbrojtja Civile, dy organizata terroriste të shpallura të tilla më 20 qershor të këtij viti. Tani na duhet ekstradimi i Radojçicit”, tha Kurti.

“Liberalizmi është shumë i dobishëm, por edhe shumë i vonuar, pasi që Kosova i ka plotësuar kushtet vite më radhë, e tash na duhet integrimi në BE, marrja e vendit kandidat dhe shpresoj që me zell i përgjigjemi pyetjeve të BE-së. Po ta fitonim liberalizimin para disa viteve ishte ngjarje e madhe, tanimë nuk është e madhe”.

Kurti këtu foli edhe për punësimin jashtë vendit, për tregun e punës, por edhe për remitencat

Në pyetjet edhe para gazetarëve, kryeministri tha se është hera e tretë që merr pjesë në këtë diskutim, derisa tha se brenda pak ditësh arrin në përmbushjen e dy të tretave të mandatit të tij si shef i qeverisë, ndërsa këtë periudhë e konsideroi të suksesshme.

“Që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, kemi pasur edhe përparim ekonomik edhe demokratik. Kemi pasur rritje ekonomike prej 10 .6 % të bruto produktit vendor në vitin 2021, në vitin 2022 ishte 5.2%, ndërsa në këtë vit 3.8% rritje reale”, deklaroi Kurti, i cili foli edhe për eksportin, krizën energjetike dhe zhvillimet tjera ekonomike në rajon.

Kurti dje në Vjenë të Austrisë u takua edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski

Zyra e Kryeministrit njoftoi se përveç tjerash, ata kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“U bisedua edhe për zhvillimet e fundit në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e 21 tetorit me liderët evropianë, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi homologun e tij mbi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe garanci për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Zbatues”, njoftoi ZKM-ja.

Në margjina të Forumit Ekonomik të Vjenës, Kurti dhe Kovaçevski folën për raporte të mira ndërshtetërore dhe për “përkushtimin e dy vendeve në synimin e përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian, si dhe sfidat përgjatë këtij rrugëtimi”

“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit si në planin bilateral ashtu edhe atë rajonal në fusha me interes të ndërsjellë, me qëllim avancimin e mëtejmë të fqinjësisë së mirë, dhe në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve. Në këtë kontekst u diskutua edhe për sektorin e energjisë, potencialin që dy vendet kanë edhe strategjitë tyre mbi këtë sektor”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Deklarohet BE-ja

Pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Punëve të Jashtme, Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell kryesoi një takim ministror BE-Ballkani Perëndimor, që mblodhi ministrat e jashtëm të BE-së dhe homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.

Në faqen zyrtare të Këshillit të Europës bëhet e ditur se diskutimi u fokusua në sfidat e përbashkëta të sigurisë në sfondin e kërcënimeve të vazhdueshme të sigurisë globale dhe rajonale.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të fortë me partnerët e Ballkanit Perëndimor për të ndërtuar qëndrueshmëri dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në kontinent. Në këtë kontekst, kujtoi se Bashkimi Evropian mbështet te vendet kandidate si partnerë të besueshëm në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për përafrimin me vendimet e BE-së në këto fusha.

Takimi ofroi gjithashtu një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje rreth sfidave në rajon dhe të ardhmen e tij evropiane në një kohë kur politika e zgjerimit të BE-së ka fituar një vrull të ri dhe pas miratimit të fundit të raporteve të zgjerimit të Komisionit që vlerësojnë progresin e secilit partner në rrugën e tij drejt BE-së.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti mbështetjen e fortë të vazhdueshme të BE-së – politike, teknike dhe financiare – për të gjithë kandidatët dhe kandidatët e mundshëm për t’i ndihmuar ata të çojnë përpara reformat kryesore politike, institucionale, sociale dhe ekonomike.

Në këtë drejtim, Plani i ri i Rritjes i miratuar javën e kaluar duhet t’u mundësojë partnerëve të rrisin reformat dhe investimet për të përshpejtuar ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.

Në këtë takim të pranishëm ishin: Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schëarz. Në takim morën pjesë së bashku me ministrat e jashtëm të BE-së për Punët e Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviq, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Fatmire Isaki dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane e Serbisë, Tanja Miščević./Telenews/

Të ngajshme

Alarmon Haxhiu: Pacientët po detyrohen të blejnë edhe penjë për operacion

Erzana Fazliu

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë uron pavarësinë

Erzana Fazliu

Banorët kritikojnë Arionin për sjelljen e tij në festën e mbrëmshme

Erzana Fazliu