Telenews

Nga Qeveria Kurti u tha se serverët e përdorur nga KQZ-ja u dhanë donacion, Elezi deklaron se u përdorën serverë të tjerë

Qytetarët e Kosovës iu janë drejtuar kutive të votimit me 9 shkurt të këtij viti për të zgjedhur atë që e konsiderojnë të denjë për ta udhëhequr shtetin. Por, ndonëse zgjedhjet kanë përfunduar tash e 15 ditë, rezultatet preliminare ende nuk kanë dal.

Dita e zgjedhjeve, ka shkuar pa ndonjë incident serioz por pas mbylljes së qendrave të votimit, KQZ u përball me një problem me ueb-faqen e saj.

Serveri i ueb-faqes së KQZ-së ishte përballur me probleme të vazhdueshme menjëherë pasi filloi publikimi i rezultateve, pasi që sistemi ka dalë jashtë funksionit disa herë, duke rezultuar me ndërprerje dhe vonesa në numërimin e votave.

Në lidhje me këtë, akuza i ishin drejtuar Qeverisë së Kosovës e për këtë pati reaguar zëdhënësi i kësaj Qeverie, Përparim Kryeziu i cili tha se Qeveria nuk ka të bëjë me serverët dhe software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare.

Ai tha se serveri që kishte përdorur KQZ për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ishte donacion nga shteti i Gjermanisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në Zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë, kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik”, pati thënë ai.

Këtë sot para mediave e ka mohuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Sa i përket kësaj çështje, KQZ ka përdorur server që kanë qenë funksional më herët”, ka thënë Elezi në një konferencë për media.

Gjithashtu, për këtë janë deklaruar edhe nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë të cilët kanë thënë se janë njoftuar që donacioni i dhënë për KQZ-në nuk është përdorur gjatë këtyre zgjedhjeve.

“Pajisjet e ofruara synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e TI-së të KQZ-së, megjithatë, ato nuk përfshijnë pajisje për numërimin e zgjedhjeve. Donacioni është organizuar dhe pajisjet janë blerë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me financim të siguruar nga Gjermania”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Boetcher.

Christian Boetcher ka theksuar gjithashtu se Ambasada gjermane është njoftuar se pajisjet e dhuruara nuk janë përdorur gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ka thënë se duhet pyetur KQZ-ja se pse këto pajisje s’janë shfrytëzuar. /Telenews.al/

Të ngajshme

Shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”, të gjithë të akuzuarit lirohen nga akuza

Valjeta Turkaj

DW: Serbia rrit armatimin me sisteme nga Kina, Vuçiq përshkallëzon retorikën rajonale

Valjeta Turkaj

Ushtari francez vritet në një sulm me dron ndaj një baze në Irak, Macron reagon menjëherë

Valjeta Turkaj