Telenews

Nga shofer autobusi, në sundimtar – kush është Nicolas Maduro që u kap nga forcat amerikane

Nicolas Maduro, president i Venezuelës, është kapur mëngjesin e së shtunës nga forcat amerikane, bëri të ditur presidenti amerikan, Donald Trump.

Trump, administrata e të cilit e ka akuzuar Maduron për drejtimin e karteleve të drogës dhe krime të tjera, kishte ushtruar presion ndaj tij prej muajsh që të largohej nga pushteti, raporton Reuters.

Por, kush është Maduro?

  • Nicolas Maduro ka lindur më 23 nëntor 1962 në një familje punëtore; ai është djali i një lideri sindikal. Ka punuar si shofer autobusi në kohën kur oficeri i ushtrisë Hugo Chavez udhëhoqi një tentim të dështuar grushti shteti në vitin 1992.
  • Ai bëri fushatë për lirimin e Chavezit nga burgu dhe u bë një mbështetës i zjarrtë i agjendës së tij të majtë. Pas fitores së Chavezit në zgjedhjet e vitit 1998, Maduro fitoi një vend në legjislaturë.
  • Më pas u ngrit në karrierë duke u bërë president i Asamblesë Kombëtare dhe më vonë ministër i Jashtëm, duke udhëtuar nëpër botë për të ndërtuar aleanca ndërkombëtare përmes programeve të ndihmës të financuara nga nafta.
  • Chavez e zgjodhi personalisht si pasardhës dhe Maduro mezi u zgjodh president në vitin 2013, pas vdekjes së Chavezit.
  • Administrata e tij mbikëqyri një kolaps të thellë ekonomik, të karakterizuar nga hiperinflacioni dhe mungesat kronike të produkteve esenciale. Sundimi i tij u shënua nga akuza për zgjedhje të manipuluara, mungesa ushqimore dhe shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë shtypjen e ashpër të protestave në vitet 2014 dhe 2017. Miliona venezuelianë u detyruan të emigrojnë jashtë vendit.
  • Qeveria e tij u përball me sanksione të ashpra nga ShBA-ja dhe fuqi të tjera. Në vitin 2020, Uashingtoni e paditi për korrupsion dhe akuza të tjera, të cilat Maduro i mohoi.
  • Ai u betua për mandatin e tretë në janar të vitit 2025, pas zgjedhjeve të vitit 2024 që u dënuan gjerësisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe opozita si të manipuluara. Mijëra persona që protestuan kundër shpalljes së fitores së qeverisë u burgosën.
  • Një Mision Hetimor i Kombeve të Bashkuara konstatoi muajin e kaluar se Garda Kombëtare Bolivariane (GNB) ka kryer shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe krime kundër njerëzimit për më shumë se një dekadë, duke synuar kundërshtarët politikë, shpesh pa u ndëshkuar.
  • Masat represive të qeverisë së tij u theksuan edhe nga dhënia e Çmimit Nobel për Paqe 2025 lideres së opozitës, Maria Corina Machado.

Të ngajshme

Edi Rama nderohet me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe

Valjeta Turkaj

Qëllohet gjyqtarja brenda gjykatës në Stamboll nga ish-bashkëshorti i saj

Valjeta Turkaj

Kur pritet të zbatohet tarifa 1 euro për hyrjen në Prishtinë? Flet drejtori Braha

Valjeta Turkaj