Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar përgjigjen e tij ndaj Presidentit Donald Trump, pas ftesës që ai mori për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.
Rama theksoi se ky angazhim do t’i dërgohet së shpejti Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
“Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare”, shkruan kryeministri Rama, “paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë“.
Në këtë përgjigje më tej kryeministri Edi Rama thekson se “Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Edi Rama thotë se populli shqiptarë do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët.
“Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj“, thotë kryeministri Rama ‘se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global’.

