E frymëzuar nga natyra dhe kujtimet e së shkuarës, kjo nuancë sjell qetësi, rehati dhe stil të përjetshëm në çdo hapësirë
Valspar, një nga prodhuesit më të njohur të ngjyrave që përcakton trendet botërore, ka shpallur ngjyrën e vitit 2026
E frymëzuar nga nostalgjia dhe natyra, kjo ngjyrë është krijuar për të sjellë qetësi, rehati dhe stil të përjetshëm në çdo hapësirë.
Dizajnerët parashikojnë se ajo do të dominojë brendësitë e shtëpive dhe rrjetet sociale gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Pas një analize të hollësishme të të dhënave që marrin parasysh sjelljen e konsumatorëve dhe trendet e mobilimit, u zbulua se ngjyra fituese është “eukaliptusi i ngrohtë”, një nuancë e butë e së gjelbrës.
Në një komunikatë për media, brendi bëri të ditur se “eukaliptusi i ngrohtë” pasqyron dëshirën kolektive për dizajn të qetë dhe të qëndrueshëm, i cili i përshtatet ritmit gjithnjë në ndryshim të jetës si në hapësirat banesore ashtu edhe ato komerciale.
“Eukaliptusi i ngrohtë është më shumë se thjesht një nuancë e bukur e së gjelbrës, ai është shprehje e rehatisë që kërkojmë në shtëpitë tona”, thotë Su Kim, drejtoreshë e marketingut të ngjyrave në Valspar, për revistën Real Simple, përcjell Telegrafi.
“Nëntonet e tij të ngrohta krijojnë një atmosferë të qëndrueshme dhe të këndshme, duke marrë frymëzim nga natyra dhe estetika e njohur e dizajnit retro – kjo është një ngjyrë që frymëzon rigjallërim dhe qëndrueshmëri.”
Sipas Kim, zgjedhja është ndikuar ndjeshëm nga rritja e dukshme e familjes së nuancave të gjelbra, e evidentuar në bazën e të dhënave të brendit, si dhe nga vëzhgimet e shitësve dhe konsulentëve të ngjyrave.
“Ajo ju rrethon kudo që jetoni, është e afërt dhe e njohur. Ne kemi nevojë për stabilitet dhe qetësi.
Edhe nostalgjia ka qenë një trend i rëndësishëm prej kohësh, shikojmë pas për të planifikuar të ardhmen.
Deshëm të theksonim një qasje më tradicionale, më të trashëguar, përmes nuancës së sherbelës dhe nëntoneve të ngrohta. Synuam të nxjerrim në pah elementet që lidhen me kujtimet dhe trashëgiminë familjare. Vetë ngjyra është një festë e kësaj ndjenje nostalgjike.”