Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ai akuzohet se veprën penale e ka kryer nga 15 tetori i 2021-të deri më 19 prill të 2023-tës, raporton Klankosova.tv.
“Sipas aktakuzës i pandehuri N.K. duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar me nenin 414 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, shkruan në kumtesë.
Krasniqi ishte liruar nga paraburgimi, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë në shtator të 2023-ës.
Ai ishte arrestuar më 19 prill, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit. Rasti përfshin dy kontrata njëburimore në vlerë 3.5 milionë euro.
Pas arrestimit, atij i ishte pezulluar pozita në krye të KEK-ut.