Kosova po hyn në një fazë historike me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, një ngjarje që pritet të sjellë përfitime të mëdha sportive, ekonomike e politike për vendin.
Ky organizim po konsiderohet si një mundësi e rrallë për ta prezantuar shtetin në nivel ndërkombëtar, por edhe për të ngritur standardet e sportit vendor. Federatat po e shohin këtë si moment vendimtar për rritjen e cilësisë, ndërsa volejbolli tashmë ka nisur përgatitjet konkrete.
Nikqi konfirmon se Kosova do të garojë me ekipin më të fortë të volejbollit në këto lojëra, duke e parë këtë ngjarje si prioritet kombëtar.
Ai nënvizon se Lojërat Mesdhetare do të sjellin përfitime të ndjeshme ekonomike dhe politike, duke përmirësuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Sa i përket rëndësisë, janë mjaftë të rëndësishme në shumë aspekte, çoftë ekonomik por ndoshta edhe politik për faktin se ka ende shtete, ka ende lojtarë që mendojnë se Kosova është vend i pa zhvilluar, që në Kosovë ende ka luftë, që Kosova është një vend i pa sigurt, kështu që edhe në këtë aspekt ka mjaftë rëndësi…Për ne si sport i volejbollit por edhe për sportin në përgjithësi në Kosovë, mendoj që marrja e aktiviteteve dhe organizimeve të ngjashme ka përfitime në shumë aspekte. Kështu që çdo aktivitet që organizohet është i mirëseardhur, sidomos në sportin e volejbollit”, deklaroi Nikqi.
Lojërat Mesdhetare 2030 përbëjnë ngjarjen më të madhe sportive që ka marrë ndonjëherë Kosova përsipër, një provë e rëndësishme e kapacitetit organizativ të shtetit dhe një mundësi unike për të investuar në infrastrukturë moderne, zhvillim sportiv dhe promovim ndërkombëtar.

