Të enjten ka nisur seanca fillestare në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.
Krasniqi ishte emëruar në krye të KEK-ut në tetor të vitit 2021.
Aktakuza e ngritur ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut është plotësisht e ndarë nga hetimi për të cilin u arrestua vitin e kaluar.
Pas arrestimit për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare në dy kontrata, Prokuroria e Shtetit ka filluar ta hetojë Krasniqin për tregti të energjisë me një kompani sllovene që nuk kishte licencë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, për të vepruar në Kosovë.
Nga dokumentet që ka sekuestruar hetuesia vitin e kaluar dhe nga ekzaminimi i komunikimeve online, është parë që Krasniqi ka qenë i njoftuar se kompania që po i shiste rrymë Kosovës nuk kishte licencë, por ka vazhduar punën me të.

