Ka nisur takimi midis përfaqësuesve të Listës Serbe dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, në Veri të Kosovës.
Ndonëse ka mbetur më pak se një javë kohë deri më një shtator, kur Qeveria e Kosovës do të nisë zbatimin e vendimeve për riregjistrim të automjeteve me targa serbe në RKS dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë, tashmë veçse kanë filluar vizitat ndërkombëtare në Kosovë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Qëllim i tyre është që të bisedojnë me palët për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme, përpara një shtatorit.
Të mërkurën e 24 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pas takimit njëorësh të mbajtur me presidenten Vjosa Osmani, ata priten të diskutojnë edhe me kreun e Qeverisë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe dy vendimet e Qeverisë për targa dhe letërnjoftime.
Lajçak dhe Escobar, janë takuar edhe me liderët e partive opozitare në Kosovë.

