Policia shqiptare e ka arrestuar një 42-vjeçar për plagosjen e së mërkurës në Borsh të Himarës.
Konflikti kishte ndodhur në një lokal mesnatën e 30 korrikut.
“Nga veprimet hetimore paraprake dhe këqyrja e pamjeve filmike, dyshohet se pas një konflikti midis disa shtetasve, shtetasi H. Ç. ka plagosur me armë zjarri automatike, shtetasin E. Sh., 33 vjeç, banues në Krujë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”.
“Autori i dyshuar, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është lokalizuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjithashtu, janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt”.
“Grupi hetimor, i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, gjetjen e armës së zjarrit të dyshuar të përdorur dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.