Një grua shtetase e Shqipërisë është sjellë pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dragash, pasi ishte transportuar nga familjarët nga një fshat në brezin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, ndërsa rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, transmeton Telenews.al.
“Me datë 17.07.2025, rreth orës 04:12, kemi pranuar informacion nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Dragash se është sjellë një femër pa shenja jete. Viktima është shtetase e Shqipërisë dhe është sjellë nga një fshat kufitar. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes,” thuhet në njoftimin e policisë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, në mënyrë që të saktësohet shkaku i vdekjes.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me moshën apo identitetin e viktimës, ndërsa hetimet janë në vazhdim.