Gazetarët e T7, Blerta Zuka dhe Çlirimtar Morina, të cilët po qëndrojnë në dy lokacionet në Prishtinë ku Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione gjatë ditës së sotme, në edicionin e ditës së sotme në “FRONTAL” të gazetarit Arsim Lani kanë dhënë informacionet me të fundit lidhur me aksionin e Policisës së Kosovës kundër të dyshuarve për grabitje të arit në Suharekë.
Gazetari Çlirimtar Morina është lajmëruar nga afërsia e një argjendarie në qendër të Prishtinës, pronari i të cilës është arrestuar si i dyshuar për bashkëpunim me personat që kanë kryer vjedhjen e argjendarisë në Suharekë.
Në pamjet direkte të T7 është parë që lokali i argjendarisë në fjalë ka qenë duke u ruajtur nga dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Vetëm dy policë po vazhdojnë të qëndrojnë tek argjendaria. Dyshohet se pronari i kësaj argjendarie ka bashkëpunuar me grabitësit. Është një prej 7 lokacioneve që është bastisur nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit. Policët po qëndrojnë në hyrje të argjendarisë. Nuk dihet nëse pronari ka bashkëpunuar me vetëdije apo vetëdije, por dyshohet se ka blerë ari nga grabitësit”, ka thënë gazetari Morina.
Ai tutje ka treguar edhe për deklaratën e një dëshmitareje e cila ka qenë në argjendarinë në fjalë në momentin kur policët janë future brenda lokalit.
“Ajo ishte si kliente në ato momente. Ka treguar se kanë hyrë 3 apo 4 zyrtarë policor dhe i kanë kërkuar që të dalin nga lokali në shpejtësi të madhe. Në atë moment ka filluar bastisja. Ky është një prej 7 lokacioneve”, ka treguar tutje Morina.
Gazetarja Blerta Zuka është lajmëruar nga lagjia Arbëria ku Policia e Kosovës ka zhvilluar aksionin kryesor e ku ka arrestuar 4 prej të dyshuarve për grabitjen në Suharekë e ku një tjetër është neutralizuar nga policia.
“Në këtë pjesë po qëndrojnë policia, në numër më të ulët. Pak më parë u larguar edhe forenzika, që mori trupin e viktimës”, ka thënë gazetarja Zuka.
Ajo ka thënë se i arratisuri po dyshohet se po fshihet në lagjen Arbëria, në rrugën Arbër Xheladini dhe se Policia e Kosovës po e monitoron lagjen, për të parë nëse mund të gjendet diçka në kamerat e sigurisë në hotelin ku dyshohet se i arratisuri kishte kaluar kohë.
Rruga në atë pjesë ka qenë për disa kohë e bllokuar, megjithatë gazetarja e T7 ka thënë se tashmë ajo rrugë është liruar.
Gazetarja Zuka gjithashtu ka përmendur faktin se të gjithë të dyshuarit për grabitjen në Suharekë, 4 prej të cilëve janë arrestuar dhe 1 që është vra, kanë qenë të strehuar në afërsi të vendit ku banon Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.

