Policia e Kosovës ka konfirmuar për gjuajtjen me armë zjarri në lokalin “Kobra City” në dalje të Prizrenit, sot në orën 04:10. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, policia shqiptare ka njoftuar vdekjen e 31-vjeçarit me iniacialet V. C., dhe plagosjen e R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi. Të njëjtit po barteshin me automjet nga shtetasi A.B., në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit.
Sipas informacioneve të para 31-vjeçari vdiq rrugës për në spital, teksa i plagosuri po qëndron nën kujdesin e mjekëve.
“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”.
Sipas policisë së Shqipërisë, dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokal me disa shtetas kosovarë.
Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

