Prishtina u trondit të martën nga dy incidente që ndodhën në orët e pasdites dhe në mbrëmje, e që përfunduan tragjikisht me vrasje. Nga konflikti ku u përfshinë dy grupe, mbetën të vdekur dy persona. Katër personat që po dyshohen për plagosje dhe vrasje, të cilët ndodhen në arrati tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia.
Fitim Doda dhe Arijan Sijarina dyshohen për tentim vrasjen në lagjen Kolovicë, në orët e pasdites, ndërsa vëllezërit Naim dhe Ahmet Berisha po kërkohen për vrasjen e rëndë, që ndodhi mbrëmjen e 26 marsit.
Edhe pse po hetohen si dy raste, motivi dyshohet se lidhet me konfliktin pas plagosjes së Naim Berishës, viktimë e rastit të parë dhe i dyshuar për rastin e dytë.
Katër të dyshuarit ende s’kanë rënë në prangat e Policisë, teksa hetimet intensive po zhvillohen nga Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Siç merr vesh gazeta, në mesin e njësive të Policisë që janë aktivizuar për hetimin e këtij rasti është edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Njësitë policore të angazhuara, deri më tash kanë kryer një numër të madh të kontrolleve për të arritur te gjurmët e të arratisurve, e po ashtu sipas informacioneve të para janë kontrolluar edhe kamerat e sigurisë në afërsi të lokacionit ku ka ndodhur vrasja.
Ajo që dihet deri më tash është se njëri nga të plagosurit në këtë rast që po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tashmë është ndaluar.
“Lidhur me rastin është raportuar se viktima femër kosovare e cila ka qenë duke trajtuar në QKUK lidhur me nje rast te mehershem, me 27.03.2024 ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin I dyshuari mashkull kosovar i cili po ashtu ishte duke u trajtuar në QKUK është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar ne mbajtje kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I riu Egzon Haziri, u vra natën kur ndodhi konflikti, ndërsa 48-vjeçarja Zejnie Gashi, që ishte kalimtare e rastit, s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë pas disa orësh në QKUK.