Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në veri.
Siç ka bërë të ditur Policia, i dyshuari është N.O me vendbanim në Mitrovicë të Veriut, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai është i dyshuar për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR më 29 maj të muajit të kaluar.
Siç raportohet identiteti i tij i plotë është Nenad Orloviq dhe i njëjti është arrestuar mëngjesin e sotëm në vendin e tij të punës në një autolarje në afërsi të stacionit të autobusëve në veri të Mitrovicës.
Në mediat sociale janë publikuar edhe pamjet e momentit të arrestimit. Atij i janë publikuar edhe disa fotografi.
Ndërkaq, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në një reagim tha se secili i dyshuar për sulmet e fundit në veri do të përballet me drejtësinë.