Telenews

Njohjet që s’i erdhën kurrë: Kush ia mbylli dyert Kosovës?

Shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është në harresë diplomatike – e njohur nga shumë shtete, por jashtë disa organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare. Me dinamikat e shpejta gjeopolitike, vëzhguesit thonë se Kosova rrezikon të humbasë edhe mbështetjen e disa vendeve me ndikim.

Në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë, më 2008, kryeministri i atëhershëm i vendit, Hashim Thaçi, premtoi njohje nga 193 shtete, që i binte të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, plus një.

“Unë konfirmoj përsëri se shteti i Kosovës do të njihet jo nga 100, por nga 193 shtete. Po të krahasohen njohjet e Kosovës me republikat e tjera të dala nga ish-Jugosllavia, te ne ka ndodhur mrekullia”, tha Thaçi.

Ai i bëri këto komente në një seancë të Kuvendit të Kosovës në mes të korrikut 2008, pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë.

Me gjithë kundërshtimet e Serbisë, vendi, atëkohë, njihej nga 43 shtete të botës, përfshirë SHBA-në dhe fuqitë kryesore evropiane.

Dy vjet më vonë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – në përgjigje të kërkesës së Serbisë për opinion – shpalli vlefshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ajo nuk binte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Për autoritetet në Kosovë atëkohë, kjo ishte edhe një shtysë që demokracia më e re në botë të njihej ndërkombëtarisht.

“… sepse, më në fund, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – një institucion i vlerësuar i drejtësisë – konfirmoi se populli i Kosovës bëri gjënë e duhur, duke shpallur pavarësinë e tij më 17 Shkurt 2008”, tha ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, pas vendimit të GJND-së.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, në listën që ka të publikuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në ueb-faqen e saj, figurojnë 117 vende që e njohin Kosovën – ende larg shifrës së premtuar prej 193.

Shteti i fundit që e njohu ishte Izraeli në vitin 2021. Kjo njohje ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë. Para saj, shteti i fundit që e njohu, ishte Barbadosi në vitin 2018. Por, intensiteti i njohjeve filloi të binte që nga viti 2015.

Në këtë dhjetëvjeçar, Kosovën e njohën vetëm 9 shtete. Vendi vazhdon të mos njihet nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor – Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe pesë shtete të Bashkimit Evropian – Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë qysh më 10 shkurt, për ta pyetur rreth aktiviteteve të saj lobuese, por nuk mori asnjë përgjigje.

E cituar nga mediat në Prishtinë, tetorin e kaluar, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se “njohjet nuk varen vetëm nga Kosova, por edhe nga shumë konsalacione të tjera”.

Aidan Hehir, nga Universiteti Westminster në Londër, numëron disa arsye për stagnimin e njohjeve: nën një, shtetet properëndimore tashmë janë shterur dhe shumica prej tyre e kanë njohur Kosovën, dhe nën dy, vendet që janë të rreshtuara me Rusinë dhe Kinën, ose dashamirëse ndaj Serbisë, nuk mund të binden lehtë.

Të ngajshme

Prokuroria kërkon pesë vjet burg për Dodikun

Donat Hashani

Bekim Jashari emocionon në ditëlindjen e Hamzës, zbulon se kë e kishte idol

Erzana Fazliu

2Ton vjen me ‘Dhurata’

Erzana Fazliu