Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si kryeministri në detyrë Albin Kurti po e trajton liberalizimin e tregut të energjisë, duke e cilësuar procesin si arbitrar dhe të dëmshëm për sektorin privat.
Ajo thekson se nuk ka liberalizim real me vetëm një kompani dhe kërkon një afat tranzitor për t’u përgatitur bizneset.
”Njeriu i cili jeton vetëm për dhe me drama do analizë e diagnozë të vërtetë.
Kurti si majtist tani flet për liberalizim tregu në energji e ne të tjerë duhet të bijmë sërish në grackën e tij e të flasim se sa keq po bënë.
Ta bëjmë të qartë se askush nuk është kundër liberalizimit të tregut.
Por ama nuk mund të quhet e as të bëhet liberalizimi kështu si e proklamon deputeti aka Kryeministri ilegal në detyrë z.Kurti bashkë me ZRRE-në.
Nuk ka liberalizim me vetëm një kompani si e para.
E dyta le të supozojmë se do kishte më shumë kompani, e kam thënë edhe më heret dhe po e ripërsërisë që duhet një afat tranzitor për të lënë hapësirë e mundësi për bizneset që të përgatiten për të operuar në rrethana të reja.
Ky vendim arbitrar e dëmton sektorin që është taksapaguesi më i madh i buxhetit të shtetit dhe e deformon edhe idenë e tregut të lirë në fakt.
Reforma, liberalizimi i tregut dhe zhvillimi nuk do të arrihen asnjëherë me mendje që në emër të tyre instrumentalizijnë dhe dëmtojnë qytetarët.
Kjo është mendësi e krijimit të varësive të reja në emër të ekonomisë së lirë dhe rëndesë e jashtëzakonshme”.